Portieri Thibaut Courtois ka zbuluar se ka pasur përplasje me Jose Mourinhon në të kaluarën, por ka theksuar se vazhdon ta vlerësojë mënyrën e drejtpërdrejtë të trajnerit portugez në menaxhimin e lojtarëve.
Mourinho u konfirmua këtë muaj si trajneri i ri i Real Madridit, duke u rikthyer në “Santiago Bernabeu” pas periudhës së tij të parë mes viteve 2010 dhe 2013, kur fitoi një titull të La Ligës dhe një Kupë të Mbretit.
Megjithatë, rikthimi i 63-vjeçarit nuk është pritur me entuziazëm nga të gjithë, pasi shumë tifozë dhe analistë vazhdojnë të kenë dyshime për karakterin e tij të fortë dhe metodat e tij të punës.
Courtois, i cili ka punuar me Mourinhon te Chelsea, tha se raporti mes tyre ka qenë gjithmonë pozitiv, pavarësisht disa mosmarrëveshjeve.
“Mourinho është një trajner shumë i drejtpërdrejtë. Edhe unë jam i tillë. Marrëdhënia jonë ka qenë gjithmonë shumë e mirë”.
34-vjeçari kujtoi edhe një episod interesant nga koha te Chelsea, kur Mourinho vendosi ta linte në bankën rezervë pas një paraqitjeje jo të mirë.

“Kemi pasur edhe përplasjet tona herë pas here”, tha Courtois duke qeshur.
“Për shembull, ai më la në stol kundër Evertonit sepse në ndeshjen paraprake ndaj Aston Villas kisha gabuar në dy topa të krosuar. Ishte mënyra e tij për të më provokuar. Javën tjetër u riktheva në portë kundër West Hamit dhe bëra pesë ose gjashtë pritje vendimtare”.
Në të njëjtën konferencë, portieri belg foli edhe për të ardhmen e tij, duke pranuar se dëshira e tij është ta mbyllë karrierën te Real Madridi.
“Për mua, ideale do të ishte ta përfundoja karrierën në Madrid”.
“Te Real Madridi ekziston parimi që pas moshës 30-vjeçare kontratat rinovohen vit pas viti, kështu që jam mjaft i qetë. Nëse vazhdoj të performoj si deri më tani, rinovimi nuk do të jetë problem. Por Real Madridi është një klub i nivelit më të lartë dhe në një moment do të duhet të mendojë edhe për pasardhësin tim”.
Portieri belg ka kontratë me Real Madridin deri në verën e vitit 2027 dhe mbetet një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës madrilene.



Të tjera
Llapit i troket oferta gjysmë milionë euro, Batatina zbulon se si do t’i përgjigjet
Shenjat që tregojnë se keni problem serioz me stomakun
Shefi i CIA-s dyshon nëse Irani është i gatshëm për lëshime bërthamore