Legjenda e futbollit meksikan Guillermo Ochoa ka lënë të kuptohet se Kupa e Botës 2026 mund të jetë turneu i fundit i karrierës së tij profesionale.
Portieri 40-vjeçar po merr pjesë në Botërorin e tij të gjashtë, duke barazuar rekordin e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit për numrin më të madh të pjesëmarrjeve në këtë kompeticion prestigjioz.
Ochoa është përfshirë në çdo listë të Meksikës për Kupën e Botës që nga viti 2006, megjithëse debutimin e tij në fushë e bëri vetëm në edicionin e vitit 2014 në Brazil. Pikërisht aty ai fitoi statusin e heroit kombëtar, falë paraqitjeve spektakolare, veçanërisht kundër Brazilit në fazën e grupeve.
Katër vjet më vonë në Rusi, ai shkëlqeu sërish, duke qenë një nga protagonistët kryesorë në fitoren historike 1-0 ndaj Gjermanisë. Ndërsa në Katar 2022, Ochoa priti penalltinë e Robert Lewandowskit në barazimin 0-0 me Poloninë.
Aktualisht pjesë e AEL Limassol, veterani meksikan ishte rezervist në fitoren 2-0 të Meksikës ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Botërorit dhe mbetet e paqartë nëse do të luajë në takimet e mbetura të grupit kundër Koresë së Jugut dhe Republikës Çeke.

Në një intervistë emocionale për FIFA-n, si pjesë e serisë “Letters That Unite”, Ochoa shpërtheu në lot teksa lexonte një mesazh nga vajza e tij, Lucciana. Pikërisht aty ai la të kuptohet se fundi i aventurës me kombëtaren mund të nënkuptojë edhe fundin e karrierës së tij.
“Kam filluar të luaj futboll në moshën dhjetëvjeçare. Midis shkollës dhe futbollit, ka pasur shumë pak kohë për të bërë gjërat që fëmijët zakonisht bëjnë”.
“Ka gjëra që duhet t’i vendosësh në balancë dhe t’i sakrifikosh kur je kaq i ri. Udhëtimet shkollore, ekskursionet e maturës, mundësia për të studiuar jashtë vendit – shumë gjëra që i humbet”.
“Ka qenë një cikël i pandërprerë për më shumë se 22 apo 23 vjet, me shumë pak kohë për pushime, për familjen apo për të kaluar kohë me ta”.
“Përfaqësuesja e Meksikës ka qenë gjithmonë busulla ime, drejtimi im në karrierë dhe në jetë. Nuk mund ta imagjinoj karrierën time pa kombëtaren”.

“Dhe tani që koha ime me kombëtaren po përfundon, nuk shoh më kuptim te futbolli, nuk shoh më kuptim të vazhdoj të luaj”.
“Nuk e shoh arsyen për të vazhduar”, tha Ochoa mes lotësh.
Më pas, duke u përpjekur të kontrollonte emocionet, ai shtoi: “Kam shijuar çdo moment këtu. Kam dhënë gjithçka nga vetja. Largohem i qetë, me kokën lart dhe krenar për gjithçka që kam përjetuar”.
Nëse nuk aktivizohet më gjatë këtij Botërori, ndeshja e tij e fundit mund të ketë qenë jo vetëm me fanellën e Meksikës, por edhe në të gjithë karrierën e tij profesionale, duke i dhënë fund një rrugëtimi të jashtëzakonshëm që zgjati më shumë se dy dekada.



Të tjera
Kur është e pashmangshme për t’u divorcuar?
Llapit i troket oferta gjysmë milionë euro, Batatina zbulon se si do t’i përgjigjet
Shenjat që tregojnë se keni problem serioz me stomakun