Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën “Gratë në Biznes – She Rises 2026”, e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Kurti vlerësoi rolin dhe kontributin e grave në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, duke theksuar se bizneset që ato drejtojnë, vendet e punës që krijojnë dhe sfidat që kapërcejnë ndikojnë drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë së Kosovës.
Ai nënvizoi se gratë po dëshmojnë lidership të suksesshëm edhe në institucionet shtetërore, duke udhëhequr procese të rëndësishme me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim. Sipas tij, arritjet e grave në politikë tregojnë se, kur u ofrohen mundësi të barabarta, ato janë plotësisht të afta të marrin përgjegjësi dhe të sjellin rezultate.
Kurti tha se i njëjti progres duhet të reflektohet edhe në ekonomi, ndërmarrësi dhe pronësi biznesesh. Ai theksoi se pavarësia ekonomike e grave është një faktor kyç për ndërtimin e familjeve të forta, një shoqërie moderne dhe një ekonomie të qëndrueshme.
Duke iu drejtuar grave sipërmarrëse, kryeministri në detyrë u shpreh se suksesi i tyre është njëkohësisht sukses i Kosovës. Sipas tij, çdo biznes i udhëhequr nga gratë, çdo vend pune i hapur dhe çdo produkt që arrin në tregjet ndërkombëtare kontribuon në forcimin e imazhit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
“Është e domosdoshme që këtë sukses që po e shohim në sferën politike, ta shohim me të njëjtën dinamikë edhe në ekonomi, në ndërmarrësi, e në pronësi të bizneseve. Një grua ekonomikisht e pavarur është shtyllë e një familjeje të fortë, e një shoqërie përparimtare dhe e një ekonomie të zhvilluar”, tha kryeministri në detyrë.



Të tjera
Pse duhet të hani mjaltë në mëngjes?
Arra dhe rozmarinë për kujtesë të fortë
Temperaturat shënojnë nesër deri në 32 gradë