Kosova ka kërkuar qasje në dokumentet e klasifikuara të Brigadës së 37-të të Motorizuar dhe rikthimin për gërmime në Batajnicë, duke i parë si test të përmbushjes së zotimeve të Serbisë të Deklaratës për Persona të Zhdukur. Ndërkaq, në kuadër të Komisionit të Përbashkët për persona të zhdukur Serbia ka kërkuar më shumë informata dhe hetime sidomos pas përfundimit zyrtar të luftës.
Pala kosovare po pret qasje në dosjet e klasifikuara të Brigadës së Motorizuar, 37-të, të kohës së luftës, dhe kthimin për gërmime në Batajnicë, në mesin e kërkesave kryesore që ka paraqitur te Komisioni i Përbashkët për Persona të Zhdukur mes Kosovës e Serbisë.
Ky Komision pritet të mblidhet sërish këtë muaj, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në takimin e tretë me radhë që nga themelimi i tij dhe pala kosovare insiston që këto dy kërkesa janë test nëse Serbia do të nisë ta zbatojë deklaratën e nënshkruar tri vite më parë e cila përfshin qasjen në arkiva.
Kreu i Njësisë për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, Kushtrim Gara, ka thënë se qasja në arkivin e klasifikuar do të ndihmojë kërkimet për të zhdukurit nga maskarat e kryera nga kjo brigadë, në zonën e Drenicës, që në atë kohë komandohej nga gjenerali, Lubisha Dikoviq.
“Shumë nga viktimat e masakrave Rezallë, Çikatovë e Vjetër e Zabel i Ulët të kryera nga kjo brigadë janë gjetur në Rashkë”, i ka thënë Gara Radio Kosovës.
“Komplet arkivat e kësaj brigade janë riklasifikuar në vitin 2014, kur ne kemi qenë duke gërmuar në Rashkë, ku kjo brigadë e ka pasur bazën”, ka shtuar ai.
Gara ka treguar se pala kosovare po kërkon të rikthehen gërmimet në Batajnicë ngase janë siguruar të dhëna të reja ku dyshohet të jenë një numër viktimash të zhdukura të luftës.
“Në bazë të dhënave të reja që kemi siguruar dhe analizës së informacionit ne kemi konkluduar që në Batajnicë afër poligonit të stërvitjes duhet të jetë edhe një vend me 58 trupa të personave të zhdukurve”, ka thënë ai.
Mes viteve 2001 e 2002, mbetjet e 744 viktimave u gjetën të varrosura në 9 gropa, ngjitur me poligonin e stërvitjes ushtarake në Batjnicë, afër Beogradit, qindra kilometra larg vendit ku u vranë.
Zyra e ndërmjetësit të Bashkimit Evropian për Dialogun, Kosovë- Serbi, Peter Sorensen, i ka thënë Radio Kosovës se BE u “kërkon me ngulm palëve bashkëpunim dhe angazhim” në zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të vitit 2023. Gjithashtu është theksuar se Komisioni i Përbashkët “ofron një kornizë për të mbështetur këtë proces dhe për të adresuar çështjet praktike që lidhen me zbatimin”.
Sipas Deklaratës për Persona të Zhdukur, obligimet e Kosovës, përfshijnë hetime të rasteve të personave të zhdukur, sidomos atyre pas përfundimit zyrtar të luftës.



Të tjera
Vitaminat që ju ndihmojnë të luftoni stresin
Mbahet takim për koordinimin e donatorëve në sektorin e rinisë
23 ditë protestë në Shqipëri