Klopp propozon ndryshim për pushimet e hidratimit – Ekonomia Online

Klopp propozon ndryshim për pushimet e hidratimit

Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka dhënë mendimin e tij për pushimet e detyrueshme të hidratimit në Kupën e Botës 2026, duke propozuar një ndryshim të vogël në rregulloren e FIFA-s.

Pushimet treminutëshe, të cilat zhvillohen në mes të secilës pjesë në çdo ndeshje, kanë ngjallur debate të shumta. Shumë futbollistë, trajnerë dhe analistë besojnë se ato ndërpresin ritmin e lojës, ndërsa FIFA i ka bërë të detyrueshme si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit të lojtarëve.

Një nga kritikët e parë ishte kapiteni i Holandës, Virgil van Dijk, i cili tha se pushimet kanë kuptim vetëm kur temperaturat janë vërtet të larta.

“Nëse është shumë vapë, atëherë janë të nevojshme. Por mendoj se çdo ndeshje duhet të vlerësohet veçmas”, deklaroi mbrojtësi holandez.

Edhe trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, u shpreh kundër rregullit të ri.

“Pushimet e ndajnë ndeshjen pothuajse në katër pjesë dhe ndryshojnë identitetin e futbollit më shumë sesa e kisha imagjinuar”, tha tekniku gjerman.

Ndërkohë, sulmuesi i Francës, Kylian Mbappé, mbajti një qëndrim më të balancuar.

“Nëse skuadra jonë është në ritëm dhe loja ndërpritet, nuk do të na pëlqejë. Por nëse po vuajmë ose temperaturat janë shumë të larta, atëherë pushimi mund të na ndihmojë. Prandaj është e vështirë të japësh një mendim objektiv si lojtar”, u shpreh ai.

Ndryshe nga shumë kolegë të tij, Jurgen Klopp nuk është kundër pushimeve të hidratimit, por mendon se ato zgjasin më shumë seç duhet.

“Është shumë vapë dhe pushimet janë të mira për lojtarët. Edhe si trajner do t’i kisha mirëpritur. Megjithatë, mendoj se tani zgjasin paksa shumë. Për të pirë ujë nuk duhen dy apo tre minuta”, tha Klopp.

Ai shtoi se tifozët në stadium mund të argëtohen gjatë këtyre ndërprerjeve, duke përmendur shfaqjet që organizohen në disa stadiume, ndërsa për shikuesit para televizorit reklamat e gjata mund të jenë bezdisëse.

“Kur je në stadium është në rregull, sepse ka edhe një lloj spektakli. Por e kuptoj edhe ata që shikojnë nga shtëpia dhe u duhet të presin reklamat. Megjithatë, në moshën time, është një pushim i mirë për të shkuar në tualet”, tha Klopp me humor.