Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka kërkuar Komunës së Prishtinës rishikim të draft-rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, e edhe konsultime me komunitetin e biznesit. Përmes një komunikate tha se disa dispozita të draft-rregullores mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në klimën e të bërit biznes, konkurrueshmërinë dhe investimet në kryeqytet.
DHTIK vlerësoi se Komuna nuk është bazuar në parimet e proporcionalitetit, sigurisë juridike dhe konsultimit të mirëfilltë me komunitetin e biznesit derisa ka planifikuar ndryshimet fiskale.
“Në këtë drejtim, konsiderojmë se draft-rregullorja parasheh rritje të konsiderueshme të tarifave për disa veprimtari pa u dhënë ndonjë arsyetim ekonomik ose analizë e ndikimit. Tarifa të tilla krijojnë barrë shtesë financiare, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, thuhet në komunikatë.
Sipas DHTIK, nëse rregullorja hyn në fuqi, shumë biznese të vogla do ta kenë të vështirë të operojnë.
“Tarifimi i secilës njësi biznesore veçmas, dekurajon zgjerimin e bizneseve dhe do të ndikoj në rritjen e ndjeshme të kostove dhe ulje të aktivitetit ekonomik. DHTIK konsideron se çdo politikë fiskale si në nivel qendror ashtu edhe në këtë rast në nivelin lokal, duhet të synojë krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për investime, zhvillimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, e jo rritjen e barrës administrative dhe financiare për bizneset”.
Komuna e Prishtinës e pati nxjerrë për konsultim publik Draft-Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale. Ajo parasheh ndryshime në mënyrën e taksimit të bizneseve, duke përcaktuar tarifa vjetore sipas llojit të veprimtarisë ekonomike.



Të tjera
Neymar tërhiqet nga bisedimet me klubin nga MLS, i zhgënjyer nga negociatat
AAK paraqet kushtet për mbështetjen e krijimit të institucioneve të reja
Ancelotti dhe menaxhimi i duhur, si u shndërrua sulmi i Brazilit