Spanja triumfon minimalisht, e dërgon Uruguain në shtëpi – Ekonomia Online

Spanja triumfon minimalisht, e dërgon Uruguain në shtëpi

Spanja mposhti Uruguain me rezultatin minimal 1-0 në Guadalajara, duke siguruar vendin e parë në Grupin H, ndërsa skuadra e Marcelo Bielsës u eliminua nga Kupa e Botës 2026.

Golin e vetëm të takimit e shënoi Alex Baena pak para përfundimit të pjesës së parë.

Me barazimin 0-0 mes Kepit të Gjelbër dhe Arabisë Saudite në ndeshjen tjetër të grupit, humbja rezultoi fatale për Uruguain, i cili u eliminua që në fazën e grupeve.

Spanja dominoi pjesën e parë dhe krijoi disa raste, ndërsa goli erdhi në minutën e 42-të, kur Baena përfitoi nga një rrëmujë në zonë dhe mposhti Fernando Muslerën.

Portieri uruguaian bëri një tjetër gabim vendimtar, duke u bërë portieri i parë që nga viti 1966 që shkakton tre gola me gabimet e tij në një edicion të vetëm të Kupës së Botës.

Në pjesën e dytë, Uruguai u hodh në sulm në kërkim të barazimit, por pavarësisht ndryshimeve sulmuese të Marcelo Bielsës, nuk arriti të krijonte raste të pastra.

Mundësia më e mirë erdhi kur Darwin Núñez u nxor përballë portës, por Unai Simón ndërhyri në momentin e duhur.

Në minutat e fundit, Spanja ishte pranë golit të dytë, me Ferran Torres që goditi traversën, ndërsa Uruguai nuk arriti të gjente golin që do t’i siguronte kualifikimin.

Ndeshja përfundoi me tensione, pasi Nicolás de la Cruz u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa Agustín Canobbio humbi kontrollin, bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Pau Cubarsí dhe u ndëshkua me karton të kuq direkt.

Më pas ai u përplas edhe me arbitrin Ismail Elfath, duke vulosur një mbrëmje zhgënjyese për Uruguain.

Uruguai e mbylli kampanjën në Botëror me vetëm dy pikë nga tri ndeshje, duke barazuar me Kepin e Gjelbër e Arabinë Saudite, para humbjes nga Spanja sot.