Studentët në Serbi nuk duhet të merren me çështjen e Kosovës, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, deklaroi të enjten aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Aida Çoroviq.
Ajo tha se kushdo që nuk pajtohet me këtë realitet mund ta vizitojë Kosovën për ta parë situatën në terren.
“Studentët nuk duhet të merren me temën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran… Nëse dikujt nuk i pëlqejnë këto fjalë ose e lëndon fakti që Kosova është shtet i pavarur, atëherë le të shkojë në Kosovë. Aty e pret Policia e Kosovës, nuk mund të paguajë me dinarë dhe nuk funksionojnë më institucionet e Serbisë. Sipas të gjitha gjasave, edhe Universiteti paralel i Prishtinës do të mbyllet. Nuk ekziston më asnjë institucion i Serbisë që funksionon në Kosovë”, deklaroi ajo.
Çoroviq shtoi se ka miq serbë nga veriu i Kosovës, të cilët, sipas saj, udhëtojnë drejt Novi Pazarit dhe Rashkës për të tërhequr para, pasi bankomatët serbë nuk funksionojnë në Kosovë.
“Posta nuk funksionon dhe praktikisht asnjë institucion serb nuk është funksional. Problemi nuk janë deklaratat e mia, por fakti që disa njerëz nuk e pranojnë të vërtetën. Ky është problemi i tyre”, tha ajo.
Aida Çorovic u bë e njohur për publikun pasi dje hodhi vezë në muralin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq në Beograd. Ajo u sulmua nga përkrahësit e kriminelit Mlladiq e më pas u arrestua edhe nga policia.
“Jam aktiviste e të drejtave të njeriut për shumë vite dhe pozicioni im është të qëndrojë prapa të gjithë viktimave të Srebrenicës”, tha Corovic pas arrestimit, shkruan Klix.ba.



Të tjera
Liverpool nderon Jotën me memorial në Anfield
Zyrtarët amerikanë: Izraeli planifikoi të vriste negociatorët kryesorë të Iranit gjatë bisedimeve të paqes
Si ta kërkoni mashkullin me të cilin duhet të martoheni