Ukraina e “shkund” Rusinë, gódet terminalin e naftës në Shën Petersburg

Ukraina e “shkund” Rusinë, gódet terminalin e naftës në Shën Petersburg

Një sulm me dronë i kryer nga Ukraina ka goditur të shtunën një terminal nafte në Shën Petersburg, duke shënuar një nga goditjet më të thella brenda territorit rus që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022.

Guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, konfirmoi se objektivi ndodhej në distriktin Kirovsky, në brigjet e Detit Baltik. Ai tha gjithashtu se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 72 dronë ukrainas mbi qytet dhe zonat përreth, transmeton lajmi.net.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cilësoi sulmin si pjesë të strategjisë së Kievit për të goditur objektiva strategjike në territorin rus, veçanërisht infrastrukturën energjetike.

“Forcat ukrainase të mbrojtjes goditën infrastrukturën e naftës në port, e cila financon luftën e Rusisë, si dhe objektiva në Kronstadt, një pikë e rëndësishme ushtarake”, shkroi Zelensky në Telegram.

Sipas tij, forcat ukrainase kanë goditur edhe një objektiv ushtarak në ishullin Kronstadt, pranë bregdetit të Shën Petersburgut.

Ndërkohë, një tjetër sulm ukrainas në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014, la një person të vrarë dhe dy të plagosur, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar. Lajmin e bëri të ditur guvernatori i emëruar nga Moska, Sergei Aksyonov.

Sulmet ukrainase ndaj rafinerive, terminaleve të naftës dhe objekteve të tjera energjetike ruse janë intensifikuar muajt e fundit, me Kievin që synon të dëmtojë kapacitetet logjistike dhe financiare të Rusisë për zhvillimin e luftës.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka minimizuar efektin e këtyre sulmeve, duke deklaruar se ato “nuk janë kritike” dhe se Rusia do të vazhdojë luftën derisa të arrijë objektivat e saj.

Sipas Putinit, sulmet kanë për qëllim të largojnë vëmendjen nga humbjet që, sipas tij, Ukraina po pëson në vijën e frontit, ndonëse raportime të ndryshme tregojnë se përparimi i forcave ruse është ngadalësuar në muajt e fundit.