Shkrimtarja Lea Ypi ka shpërndarë në rrjetet sociale një letër të një grupi shoqatash dhe organizatash shqiptare me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që i kanë dërguar një letër të hapur Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë. Në letër, ata shprehin mbështetje për protestat që po mbahen prej më shumë se një muajsh në vendin tonë.
Në letrën drejtuar qeverisë theksohet gjithashtu se protestat e përditshme paqësore po shpalosin thelbin e një shoqërie civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe më të organizuar dhe janë një shprehje e pastër e demokracisë në veprim dhe një e drejtë kushtetuese.
Në letër janë renditur edhe katër kërkesa kryesore drejtuar qeverisë: transparencë të plotë për ligjet, vendimet dhe kontratat që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore, llogaridhënie për shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, mbrojtjen e interesit publik si parim themelor në politikat e zhvillimit ekonomik, si dhe nisjen e një dialogu të vërtetë e konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe protestuesit.
Konkretisht, letra është firmosur nga 11 organizata shqiptare që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët janë UKAP Foundation, Kosovar Albanian Youth Against Violence, British Albanian Culture & Arts Association, Edinburgh University Albanian Society, Cambridge Uni Albanian Society, LSE Albanian Society dhe UCL Albanian Society.
LETRA E PLOTE:
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë,
Ne, shoqatat dhe bashkësitë shqiptare të themeluara dhe me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, shprehim mbështetje për protestat qytetare në Shqipëri dhe dënojmë dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë.
Protestat e përditshme paqësore po shpalosin thelbin e një shoqërie civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar. Mijëra qytetarë shqiptarë, ndër ta të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, kanë dalë në rrugë për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, hapësirat publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar nga institucionet e shtetit.
Këto protesta janë shprehja më e pastër e demokracisë në veprim, e drejta kushtetuese dhe demokratike e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe për t’i kërkuar llogari institucioneve shtetërore.
Është pikërisht për këtë arsye që dënojmë me forcë çdo formë të dhunës, frikësimit apo represionit ndaj protestuesve paqësorë.
I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të marrë parasysh kërkesat thelbësore të lëvizjeve protestuese, të cilat kanë të bëjnë me:
Transparencën e plotë në lidhje me ligjet, vendimet dhe kontratat që prekin mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës, duke përfshirë projektet që ndikojnë në zonat e mbrojtura, lagunat bregdetare dhe ekosistemet ujore të vendit;
Llogaridhënien e institucioneve publike lidhur me shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, duke garantuar se çdo vendim i tillë i nënshtrohet shqyrtimit publik, konsultimit paraprak dhe mbikëqyrjes parlamentare;
Mbrojtjen e interesit publik si kriter themelor dhe i panegociueshëm në çdo politikë zhvillimi ekonomik, duke refuzuar modele që i japin prioritet interesave private të ngushta ndaj të mirave kolektive të shoqërisë;
Dialogun e vërtetë dhe konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe lëvizjeve protestuese.
Me respekt dhe me shpresë,
UKAP Foundation
Kosovar Albanian Youth Against Violence
British Albanian Culture & Arts Association
Edinburgh University Albanian Society
Albanian Book Lovers Culture Club
Cambridge Uni Albanian Society
LSE Albanian Society
Diasporas Speaking
UCL Albanian Society
Successful Mothers
Gjurmë Iliriane



Të tjera
“Dorëheqje”, protestuesit marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë
Rama flet për ZDF: Nuk mund t’u them jo 4 miliardëve
Irani nis ceremonitë mortore për Ajatollah Ali Khamenein