Kosova mungon në Samitin në Ankara, NATO jep sqarimin zyrtar

Turqia përgatiti Qendrën Ndërkombëtare të Medias për samitin e NATO-s në kryeqytetin Ankara

Një Qendër Ndërkombëtare e Medias është përgatitur në Bibliotekën Presidenciale Kombëtare për gazetarët që do të mbulojnë samitin e NATO-s, i cili do të mbahet këtë javë në kryeqytetin turk Ankara, transmeton Anadolu.

Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë njoftoi se qendra përfshin 1.800 stacione pune, 40 dhoma montazhi dhe mbi 100 pozicione për transmetime të drejtpërdrejta.

Samiti, që mbahet të martën dhe të mërkurën, do të mbledhë rreth 2.500 gazetarë, ekipe televizive, fotoreporterë, përfaqësues të mediave digjitale dhe transmetues ndërkombëtarë nga e gjithë bota në Ankara.

Drejtoria tha se është krijuar një grup pune i NATO-s për të mbikëqyrur operacionet mediatike dhe të transmetimit, procedurat e akreditimit, aktivitetet promovuese, komunikimin në raste krizash dhe përpjekjet për diplomaci publike gjatë gjithë samitit.

Gjithsej 850 persona do të angazhohen, përfshirë 500 pjesëtarë të stafit të caktuar në vendet ku zhvillohet samiti dhe 350 të tjerë që do të punojnë në aktivitetet shoqëruese dhe komunikimin në raste krizash.

Qendra Ndërkombëtare e Medias përfshin 1.800 stacione pune, 40 dhoma montazhi, mbi 100 pozicione për transmetime të drejtpërdrejta, përfshirë 54 lokacione të përhershme, 11 salla për konferenca për media, ku më e madhja mund të akomodojë deri në 500 persona, zona për intervista, studio, hapësira për takime të gazetarëve, sinjalistikë orientuese, si dhe ekrane informuese dhe transmetimi.

Planifikimi dhe puna infrastrukturore për qendrën mediatike janë realizuar në koordinim me Departamentin e Çështjeve Administrative të Presidencës.

Transmetuesi publik TRT do të sigurojë mbulimin ndërkombëtar të samitit duke përdorur 96 kamera, 18 automjete për transmetime të drejtpërdrejta dhe 26 lokacione transmetimi.

Drejtoria turke po ashtu njoftoi se gjatë javës së samitit do të zhvillohen gjithashtu fushata promovuese në 4.434 pika të komunikimit në ambient të hapur në Ankara, me disa tema të ndryshme.