Rreth 5.120 njerëz humbën jetën në Gjermani për shkak të nxehtësisë nga fillimi i kësaj vere deri në fund të qershorit, vlerësoi të enjten Instituti Robert Koch (RKI) me seli në Berlin, transmeton Anadolu.
Shifra e fundit tashmë tejkaloi mesataren vjetore prej rreth 2.900 vdekjesh të lidhura me nxehtësinë të regjistruara midis viteve 2023 dhe 2025, sipas raportit të RKI mbi vdekshmërinë e lidhur me nxehtësinë, i cili bazohet, ndër të tjera, në monitorimin e të dhënave të vdekjeve nga Zyra Federale e Statistikave dhe të dhënat nga Shërbimi Gjerman i Motit (DWD).
Instituti vlerësoi se vdekjet e lidhura me nxehtësinë u rritën me 4.310 gjatë javës 22-28 qershor, kur Gjermania përjetoi nxehtësinë e saj më intensive. Temperaturat u rritën mbi 40 gradë Celsius në disa pjesë të vendit gjatë asaj periudhe.
Për periudhën nga prilli deri më 21 qershor, RKI kishte vlerësuar 810 vdekje të lidhura me nxehtësinë. Megjithatë, një zëdhënëse e RKI tha se praktikisht të gjitha këto vdekje ndodhën gjatë javës 15-21 qershor.
Të moshuarit ishin padyshim më të prekurit. Rreth 2.950 nga vdekjet e vlerësuara deri më 28 qershor ndodhën midis atyre të moshës 85 vjeç e lart. Shifra ishte rreth 1.320 midis atyre të moshës 75 deri në 84-vjeç, rreth 550 midis atyre të moshës 65 deri në 74-vjeç dhe afërsisht 300 midis personave nën 65-vjeç.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman, qershori 2026 ishte qershori i dytë më i ngrohtë i vendit që nga fillimi i regjistrimeve, pas vitit 2019.
Vala e nxehtësisë e fundit të qershorit solli temperatura mbi 41 gradë Celsius, ndërsa 46 stacione meteorologjike regjistruan temperatura mbi 40 gradë Celsius më 27 qershor.



Të tjera
6 kura natyrale kundër gripit
Agron Shabani largohet nga drejtimi i Kombëtares së Kosovës
Ftesa e Kurtit, PDK-ja mbledh kryesinë