Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hysen Berisha, ka deklaruar se Bedri Hamza mund të jetë kryetari i ri i këtij subjekti politik pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga ky post.
Në emisionin “Mesditë” në Tëvë1, Berisha ka theksuar se Hamza është personi i duhur, pasi posedon të gjitha aftësitë dhe përvojën e nevojshme. Ai ka shtuar se më i rëndësishëm sesa emri i kryetarit të ardhshëm është drejtimi që ai do t’i japë PDK-së.
“Më i rëndësishëm sesa emri është drejtimi që do të marrë partia, duke u bazuar në tri shtylla: besueshmërinë, përgatitjen dhe përgjegjësinë që duhet ta ketë ai që vjen në krye. PDK-ja ka dokumente që përcaktojnë mënyrën e funksionimit të brendshëm dhe rregullimin organizativ. Bedri Hamza është aktualisht i identifikuar si kandidat për kryeministër, por mund ta drejtojë edhe partinë, sepse i ka të gjitha aftësitë dhe është një histori suksesi”, ka deklaruar Berisha.
I pyetur nëse ekziston konsensus brenda partisë për zgjedhjen e Bedri Hamzës si kryetar të ri të PDK-së, Berisha është shprehur se mund të ketë unanimitet të përgjithshëm.
“Ka pasur konsensus në konventën e nominimit të tij si kandidat për kryeministër, dhe ka pasur një unanimitet të përgjithshëm jo vetëm brenda forumeve të partisë, por edhe nga përkrahësit e PDK-së. Mendoj se ai do ta ketë këtë mbështetje edhe tani,” ka theksuar ai.
Megjithatë, sipas Berishës, PDK-ja ka edhe shumë personalitete të tjera që mund ta marrin drejtimin e partisë.
“Nuk është e thënë që nuk do të ketë edhe kandidatura të tjera, sepse PDK-ja ka shumë personalitete të mira që mund ta udhëheqin partinë drejt vizionit dhe përgjegjësive tona të përbashkëta,” ka përfunduar ai.



Të tjera
Ide për rregullim të kopshtit
Krejt rajoni në garë për Botëror, pos Malit të Zi
6 arsye pse një burrë e braktis gruan, edhe pse e dashuron