Albin Kurti dhe kabineti qeveritar po pretendojnë se janë dorëhequr nga postet ekzekutive qysh më 23 mars. Atë ditë, Qeverisë i përfundoi mandati katërvjeçar.
Dorëheqjen, përmes një letre, Kurti ia konfirmoi edhe kryetarit të deritanishëm të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Por, kjo letër u kontestua nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Duke mos e pranuar dorëheqjen, në këtë formë, deputetët e këtyre partive votuan kundër verifikimit të mandateve të deputetëve dhe rrjedhimisht pamundësuan konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Mesditën e 17 prillit, deputetët u mbodhën sërish për vazhdimin e seancës konstituive. Por, ajo sërish nuk prodhoi asnjë rezultat dhe u caktua vazhdimi i saj për 19 prill.
“Nëse ligji nuk funksionon dhe efektet e ligjit janë shumë të rrezikshme për shoqërinë, atëherë nuk zbatohet ligji, por zgjidhet me praktikat [e kaluara] qeveritare. Çfarë ka ndodhur para këtij rasti, kryeministrat e mëparshëm, si kanë vepruar kur kanë qenë duke ushtruar detyrën? Do të thotë kanë qenë deputetë, kanë votuar për deputetë dhe kanë qenë duke ushtruar detyrën [në Qeveri], ushtrues i detyrës nuk është detyrë [e plotë]”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Në Ligjin për Qeverinë, në nenin 26, thuhet se kur anëtari i një qeverie në detyrë zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti i tij qeveritar para ditës së certifikimit të rezultateve. Pra, para 27 marsit.
Në gjithë debatin për këtë situatë u përmend si gabim edhe fakti që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka certifikuar si deputetë Kurtin me ministra.
Por, a gaboi KQZ-ja këtu?
Mazllum Baraliu, që më parë e ka udhëhequr këtë institucion, nuk e quan këtë gabim. Sipas tij, ky institucion s’ka kompetencë t’i kërkojë dorëheqje askujt në Qeveri.
“Nuk shkruan askund që [KQZ-ja] ka për detyrë që t’iu thotë atyre të cilët kanë kandiduar për deputet, që të heqin dorë nga punët e tyre [në Qeveri]. Nuk është e rregulluar kjo punë dhe nuk është punë e KQZ-së kjo”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë tha Kurti për dorëheqjet?
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kreu i partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kërkesa e partive, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, që ai të japë dorëheqje dhe të mos dalë në zyre në Kryeministri, është e pakuptimtë.
“Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje, më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim – thënë së buti – i pamatur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, tha ai gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 16 prill.
Partitë e tjera insistojnë që postet e anëtarëve të Qeverisë të zgjedhur deputetë, të udhëhiqen nga zëvendësit e tyre gjatë kësaj periudhe.
Kurti tha se partia e tij është e interesuar që të ecet para me formimin e institucioneve. Por, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, e kanë akuzuar LVV-në se po e zvarrit këtë proces, duke argumentuar se partia fituese e zgjedhjeve nuk i ka 61 vota, aq sa kërkohen për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas edhe të formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Çka ndodh tani?
Pas mosmiratimit të raportit të Komisionit për mandate, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, iu drejtua presidentes, Vjosa Osmani, për të kërkuar sugjerime se si të vazhdohet. Osmani, brenda pak orësh, më 16 prill iu përgjigj, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive brenda 48 orëve, siç parashihet në Rregulloren e Kuvendit.
Sipas Osmanit, edhe aktgjykimet e Kushtetueses obligojnë deputetët “që të jetësojnë, e jo të bllokojnë formimin e institucioneve, si dhe të gjejnë rrugën përpara për konstituimin e Kuvendit”.
Partitë morën pjesë në seancë, por në të shkuan me qëndrime të njëjta. Në nisje të vazhdimit të seancës, kryesuesi Avni Dehari nga LVV-ja, i ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike. Pasi tha se nuk kishte konsensus se si të vazhdohet tutje, ai e ndërpreu seancën dhe caktoi që ajo të vazhdojë të shtunën.
LVV-ja tha se PDK, LDK dhe AAK po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit, por akuzë të njëjtë këto parti drejtuan nga partia e Kurtit. Ata argumentuan se LVV-ja me shtyrjen e seancës për 48 orë, po “blen kohë për pazare politike”, pasi, sipas tyre, partia fituese e zgjedhjeve nuk e ka shumicën.
Nëse të shtunën kalohet pika e parë e rendit të ditës, atëherë deputetët do të mund të betohen, më pas të zgjedhin kryetarin e nënkryetarët dhe kështu të përmbyllin konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit. Vetëm pas kësaj, do të fillonin afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme që të qeverisë e vetme, prandaj arritja e një koalicioni qeverisës duket opsion i pashmangshëm./REL
Të tjera
Përmes Viberit po kërkohen para në emër të Policisë së Kosovës – një qytetar dërgon 1000 euro
Kandidimi im është vlerësuar si garancë e fitores në Mitrovicë
Aktivisti konservator Charlie Kirk vr*itet në Utah, Trump konfirmon lajmin