A janë siguruar numrat për formimin e Qeverisë Kurti 3?

Edhe 11 ditë janë në dispozicion të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar Qeverinë Kurti 3. Por kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ende nuk ka filluar komunikimet me partitë e tjera. Ish ministri i Qeverisë së tij në Kurti 2, Nenad Rashiq tha se preferon Lidhjen Demokratike të Kosovës si partnere për ekzekutiv. Nga kjo parti nuk kanë deklaruar se a janë pro një marrëveshje me Vetëvendosjen ose a kanë marrë ndonjë ftesë për takim.

Më 26 tetor, kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka afatin e fundit për formimin e Qeverisë Kurti 3.

Por Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka bërë hapa në këtë drejtim.

Kurti gjatë së martës tha se ende nuk kanë komunikuar me partitë e tjera, por siç tha ai, për këtë ka ende kohë.

Por njëri nga ish ministrat e Kurtit e tashmë edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, Nenad Rashiq e ka një dëshirë.

Ai thotë se e preferon koalicionin qeverisës Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Unë kisha qenë i gëzuar që të kemi një qeveri një mazhorancë stabile për shkaqe të sfidave që kemi, për shkak të marrëdhënieve ndërkombëtare, prandaj unë kisha qenë i gëzuar që të jetë LVV të bëjë koalicion me LDK, atëherë do të kishim pas një numër më të madh të deputetëve, nëse isha vetë unë në ndonjë formë ose një moment do të inkurajojë Kurtin që është e mundshme një koalicion të lind sepse siq kemi konfirmuar edhe më herët kanë treguar një seriozitet institucional dhe unë e vlerësoj një gjë të tillë”, është shprehur Rashiq.

Që nuk kanë kushte për t’ia bërë numrat Albin Kurtit, e thanë edhe nga Nisma Socialdemokrate.

Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës për deklaratat e nënkryetarit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.