Deklarata e disa dite më parë e Besian Mustafës nga Lidhja Demokratike e Kosovës se LDK bëri gabim trashanik kur votoi Hashim Thaçin për president ka ngjallur reagime.

Ndaj kësaj deklarate fillimisht reagoi Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila tha se gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi, por heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik e kësaj partie.

“Gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi. Gabimi trashanik i LDK-së ka qenë heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik. Ka qenë paaftësia për t’u përballur me të vërtetën dhe mungesa e kurajës për t’i drejtuar kritikë të hapur Donika Gërvallës, Faton Pecit dhe Vjosa Osmanit, duke ushqyer iluzione të rreme se këta do t’ia kthenin votat e humbura dhe do t’i riparonin dëmet kolosale që vetë ia shkaktuan LDK-së”, ka shkruar Musliu.

E lidhur me deklaratën e Ganimete Musliut, ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku në një postim në Facebook duke aluduar në deklaratën e Musliut, ka thënë se ka kush merret me LDK-në.

Ç’mi ke trazuar mercenarët, o Besian?

Besiani, një politikan shembullor, e LDK me gjithë të, nuk kanë frikë nga zhurma. As nga sulmet e paguara. LDK nuk matet me tituj portalesh mercenarizmi e as me opinione të porositura nga dëshpërimi se nuk i fusin thonjtë dot tek anëtarësia e LDK-së. Nuk po ju dëgjojnë. Nuk po ju llogarisin.

Mbajeni duhmën e pazareve mes tyre.

Ka kush merret me LDK-në. Veç ju dhe partitë tuaja, kurrë jo. Kjo shtëpi e ka anëtarësinë që e do pa kushte; që e mbronë nëpër ditë të vështira, nëpër sulme, nëpër zhgënjime.

Ne nuk do të përgjigjemi me mllef. Do të përgjigjemi me punë. Me program. Me besim te shteti dhe te qytetari. Me njerëz të së ardhmes, mu sikurse Besiani!

Kjo është përgjigjja jonë. Qetë. Drejt. Dhe përpara. Trazimet le të vazhdojnë. Hapur, madje. Le t’i ballafaqojmë mercenarët dhe paratë që i aktivizojnë kundër njerëzve më të mirë të Lidhjes; sikurse Besian Mustafa. /Telegrafi/