Abdixhiku kritikon Qeverinë: Masat nuk po funksionojnë

Abdixhiku kritikon Qeverinë: Masat nuk po funksionojnë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën e menaxhimit të krizës së naftës në vend, duke vlerësuar se politikat aktuale nuk po japin rezultat.

Gjatë seances së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku ka deklaruar se të vetmit që po përfitojnë nga situata janë bizneset, të cilave, sipas tij, u garantohet fitimi përmes vendosjes së çmimit tavan nga Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit (MINT).

Ai ka theksuar se opozita nuk është kundër ndërhyrjes së shtetit, por synon të ngrejë shqetësime në mënyrë të argumentuar dhe qytetare.

“Jemi këtu për të ngritur një shqetësim të argumentuar dhe për t’u treguar qytetarëve pse është thirrur kjo seancë. Duhet ta pranojmë se jemi në krizë dhe se qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm”, u shpreh Abdixhiku.

Sipas tij, masat e ndërmarra nga Qeveria, përfshirë vendosjen e çmimit tavan për karburantet, nuk po funksionojnë në praktikë.

“Nëse këto masa janë alternativa e vetme, atëherë duhet t’i rishqyrtojmë, sepse lajmi i keq është se nuk po funksionojnë”, theksoi ai.

Abdixhiku ka përmendur dy mundësi për dalje nga situata: pritjen e zhvillimeve ndërkombëtare, përfshirë ndikimet nga tregjet globale të naftës, ose ndërmarrjen e masave konkrete brenda vendit.