Abdixhiku nga Obiliqi premton pako për çdo familje

Abdixhiku nga Obiliqi premton pako për çdo familje

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku ka prezantuar programin e tij qeverisës para qytetarëve të Obiliqit, duke premtuar ndryshime të mëdha nëse fiton besimin për të qeverisur pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Abdixhiku tha se është koha qe vendit t’i kthehet shpresa e humbur, pasi sipas tij, LDK-ja qeverisë vetëm mirë e mbarë.

“Është koha që populli i Kosovës të ngrihet fuqishëm me LDK-në dhe 110 kandidatë që i kemi në listë. Ajo që i ka ndodhë Kosovës një vit, ishte fat i keq ku vendi u mbajt në bllokadë, e jo pse nuk kishte zgjidhje, por u bënë lojëra politike”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së, tutje, premtoi pako për çdo familje, 2400 euro për të posalindurit në vit, kujdes për të moshuarit e pensione më të larta, deri në 300 euro.

“Qeverisja është për qytetarët, ne besojmë se zhvillimi ekonomik nuk duhet të vije duke sakrifikuar shëndetin e njerëzve. Mjaft keni hequr, do t’i ndajmë mjetet për pastrimin e ambientit që u duhen, dhe Obiliqi nuk mund të mbetet zonë flijimi, por duhet të ketë bilanc me punësim e zhvillim. Programi ynë parasheh investime në KEK, projektin e gazifikimit nga Shkupi- Hani Elezit- Ferizaj- Prishtinë, e këtu në Prishtinë, me gaz amerikan””, tha Abdixhiku.

Në tubim u tha se Obiliqi është hapësirë nga ku kanë dalë shumë emra qe i kanë dhënë shumë vendit në vitet e rezistencës, paqes e ilegalitetit, ku u mbajtën takime të rëndësishme për Kosovën.