Abdixhiku thotë se nuk do të propozohet për president, Haziri deklaron se është kandidati i parë që do ta mbështesnin

Abdixhiku thotë se nuk do të propozohet për president, Haziri deklaron se është kandidati i parë që do ta mbështesnin

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar të shtunën se nuk ka gjasa që ai të propozohet për president në negociatat me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Abdixhiku deklaroi para gazetarëve se “fillimisht duhet të flitet për parimet” dhe se, sipas tij, çështja e presidentit është konsensuale.

“Jo, s’ka gjasa të vetëpropozohem, sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra, duhet të flasim për parimet njëherë. Mos t’i ngatërrojmë. Nuk po flasim për akomodime individuale në këtë fazë, aq më pak për një pozicion kaq të rëndësishëm shtetëror. Pra, flasim për interesa ndërpartiake. A ka mundësi që partitë të akomodohen rreth një marrëveshjeje shumë më të madhe? Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja. Por jo, kjo s’është politikë personale, ju lutem”, tha ai.

Ndërkohë, para pak ditësh, në një intervistë, deputeti i kësaj partie, Lutfi Haziri, deklaroi se kryetari i LDK-së është kandidati i parë që do ta mbështesnin për një pozitë të tillë.

“S’kemi marrëveshje. Unë jam për një marrëveshje për bashkëpunim, që nënkupton kompromis. Është vlerë, jo dobësi. Te ne është krijuar një bindje që kompromisi është dobësi.

Natyrisht që marrëveshjet politike shtojnë rezultatet, por janë edhe fitore e madhe, e përbashkët. Dikush më shumë, dikush më pak, kjo është demokratike. Fjalë për fjalë, jam prej atyre që për pozita të larta në shtet duhet të ketë gara të fituara. Duhet t’ia largojmë brengën popullit që nuk shkohet për çdo situatë politike në zgjedhje dhe në Kushtetuese.

Natyrisht që po. Sipas rregullit të parë, kryetari i LDK-së është kandidati i parë që ne e mbështesim, por kjo nuk është diskutuar. Nuk kemi diskutuar për emra të veçantë, por për emra konsensualë, përtej partive”, deklaroi ai në Tëvë1.

Ndryshe, Abdixhiku gjatë paraqitjes së tij sot paralajmëroi takime të tjera me Kurtin gjatë javës së ardhshme:

“Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe mbi këtë të vërtetë do të shohim se si do të zhvillohen çështjet tutje.”