Abdixhiku thotë se takimi me Kurtin ishte përmbajtësor – fokusi te presidenti

Abdixhiku thotë se takimi me Kurtin ishte përmbajtësor – fokusi te presidenti

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha se diskutimet ishin përmbajtësore dhe në funksion të çështjeve me interes nacional, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ri.

“Ishte një takim përmbajtësor, për çështje me interes nacional për Kosovën, përfshirë edhe çështjen e presidentit, i mbarë dhe i mirë, mes dy partive politike, një çështje që duhet të na përfshijë edhe neve, edhe partitë tjera”, u shpreh kreu i LDK-së, para mediave.

“Më pas do të flasim për emra konkretë. Marrëveshja politike nënkupton dakordim për çështjen e presidentit. Në këtë fazë nuk kemi interes në atë drejtim. Ne po flasim për një proces të ardhshëm rreth presidentit të Kosovës”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkaq sa i përket kompanisë së bashkëshortes së tij, Abdixhiku theksoi se nuk ka tregtim të energjisë elektrike.

“Nuk ka tregtim të energjisë elektrike. Është për energji elektrike, por jo për tregti”, theksoi kryetari i LDK-së.