Agim Ademi është rizgjedhur president i Federatës së Futbollit të Kosovës për mandatin e ri 2026–2030.
Në Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të FFK-së, i cili u mbajt sot në hotelin “Emerald”, Ademi mori mbështetjen unanime të delegatëve, pasi nga 52 delegatë të pranishëm në punimet e Kuvendit, të gjithë votuan pro rizgjedhjes së tij.
Pas rizgjedhjes, presidenti Ademi falënderoi delegatët për besimin dhe theksoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit në udhëheqjen e futbollit kosovar.
“Vota juaj sot është besim për mua dhe për ekipin tim. Vota juaj është vlerësim i punës së bërë bashkërisht dhe përkrahje për të ardhmen dhe punën e ardhshme. Pozita e presidentit të Federatës është përgjegjësi dhe detyrë, të cilën do ta ushtroj me përkushtim maksimal. Do të jem gjithmonë në shërbimin tuaj dhe në shërbim të futbollit”.
“Këtë punë nuk e kam bërë i vetëm, por së bashku me stafin tim dhe administratën e FFK-së, të cilët i falënderoj për angazhimin e tyre të vazhdueshëm”.
“FFK është një organizatë joqeveritare, por me një rol të veçantë për faktin se përfaqëson shtetin në arenën ndërkombëtare. Kjo na obligon që të jemi më transparentë, më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar”.
“Jam i lumtur që ky Kuvend është i unifikuar dhe që vendimet i marrim bashkë, për të mirën e futbollit. Uniteti dhe vota juaj nuk janë ngulfatje e demokracisë, por shprehje e vlerësimit dhe besimit ndaj meje dhe institucionit të futbollit. Na priftë e mbara dhe shpresoj që futbollin e Kosovës ta shohim gjithnjë e më lart”, tha presidenti Ademi.




Të tjera
Trump paralajmëron Iranin përpara negociatave në Oman
11 viktima dhe miliarda euro dëme pas stuhive katastrofike
Krasniqi: Hasan Shala u ka shërbyer atyre që i dhanë pushtet për t’i arritur majat në drejtësi