Ademi takohet me Konjufcën, flasin për ndeshjen Sllovaki-Kosovë

Ademi takohet me Konjufcën, flasin për ndeshjen Sllovaki-Kosovë

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, të hënën ka takuar zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme e Diasporës, Glauk Konjufcën.

 

Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit nga FFK-ja, është folur për përgatitjet rreth ndeshjes së rëndësishme kundër Sllovakisë, në kuadër të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, si dhe për organizimin e udhëtimit të ekipit tonë drejt Bratislavës.

“Gjatë takimit e informuam Zëvendëskryeministrin për përgatitjet rreth ndeshjes së rëndësishme kundër Sllovakisë, në kuadër të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, si dhe për organizimin e udhëtimit të ekipit tonë drejt Bratislavës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Zëvendëskryeministri Konjufca, sipas këtij njoftimi, Ademin e përgëzoi për rezultatet e arritura deri më tani, duke theksuar se puna ekipore dhe angazhimi i përbashkët kanë sjellë fitore të rëndësishme dhe e kanë përfaqësuar denjësisht vendin tonë në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu vuri në pah se institucionet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim historik.

“E falënderuam Zëvendëskryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj ekipit tonë kombëtar në rrugëtimin tonë drejt realizimit të synimeve tona”, thuhet në fund të njoftimit të shtëpisë më të madhe të futbollit tonë.

Kujtojmë së ndeshja play-off-it mes Sllovakisë dhe Kosovë do të luhet më 26 mars në Bratislavë. Në rast kombëtarja jonë mund Sllovakinë, atëherë më 31 mars Dardanët do të luajnë finalen e madhe kundër Turqisë, ndeshje që do të luhet në ‘Fadil Vokrri’.