Komandanti i Forcës së Kosovës (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutash, ka shprehur sot interesimin dhe angazhimin e tij të drejtpërdrejtë për adresimin e një prej plagëve më të thella të luftës në Kosovë, traumën e shkaktuar nga dhuna seksuale gjatë luftës.
Në kuadër të këtij angazhimi, gjenerali Ulutash takoi për herë të parë zyrtarisht Feride Rushitit, drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave të Torturës në Kosovë (KRCT), organizatë kjo e cila prej më shumë se dy dekadash qëndron në vijën e parë të mbështetjes për të mbijetuarit e torturës dhe traumave të luftës.
Gjatë takimit, komandanti i KFOR-it u informua për pasojat afatgjata të dhunës seksuale gjatë luftës, e cila ka prekur mijëra gra, vajza, burra dhe djem nga të gjitha komunitetet etnike në Kosovë, si dhe për sfidat me të cilat përballen të mbijetuarit në mungesë të një sistemi të plotë institucional për njohje dhe drejtësi.
“Takimi shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e kuptimit të KFOR-it për dinamikën socio-kulturore dhe sfidat që lidhen me traumën ndërgjeneracionale në vend”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas tij, adresimi i traumave të pazgjidhura të luftës dhe ndikimi i tyre në shoqëri janë faktorë të rëndësishëm për paqen afatgjatë dhe stabilitetin në vend. “Të kuptuarit e ndikimit të thellë dhe të qëndrueshëm të traumave të luftës dhe dhunës seksuale ndaj të mbijetuarve në shoqërinë kosovare është thelbësore për misionin tonë”, ka deklaruar komandanti i KFOR-it.



Të tjera
Rashiq shprehet i gatshëm ta votojë Osmanin, por fillimisht kërkon takim me të
IPK me 10 rekomandime pas inspektimit për tr@fikimin e n@rkotikëve
Harroni rrudhat vetëm me maskat me aspirinë