“Telefoni im po vlon nga mesazhet”, thotë Adrian Bajrami, vetëm disa orë pas ftesës së tij të parë për Kombëtaren e Zvicrës. “Po marr shumë urime nga familja dhe miqtë, gjë që më gëzon jashtëzakonisht shumë”, shprehet Bajrami për Blick.
Të enjten në orën 10:30, Murat Yakin shpalli listën e futbollistëve të ftuar për muajin tetor, shkruan Gazeta Express.
Bajrami, mbrojtësi i majtë i fuqishëm që prej kësaj vere luan për Luzernin, është përfshirë në listën e tetorit për kualifikimet e Botërorit. Po atë mëngjes edhe vetë Bajrami mori vesh për ftesën.
Vetëm një orë e gjysmë më vonë, trajneri i Luzernit, Mario Frick, shfaqet në konferencë për media dhe shprehet se “klubi është shumë krenar”, ndërsa Bajrami tashmë nuk ndodhej më në stadium. Përmes telefonit, debutuesi i ri i Zvicrës gjen kohë për të ndarë emocionet e para.
“Nga Kombëtarja njoh Zeki Amdounin, me të cilin luajta vitin e kaluar te Benfica”, thotë ai. Por Amdouni mungon për shkak dëmtimi. “Sigurisht që njoh edhe Fabian Rieder, me të cilin isha te YB në grupmoshat e reja. Ai mbetet një mik shumë i mirë për mua. Por po ashtu mezi pres të njoh edhe fytyra të tjera.”
Një temë e veçantë është kapiteni i Kombëtares, Granit Xhaka. Rekordmeni i ndeshjeve me Zvicrën është i njohur për faktin se shpesh merr lojtarët e rinj nën kujdesin e tij. Shembull i tillë është Ardon Jashari, i cili aktualisht është i lënduar.
Çfarë lidhjeje ka pasur deri tani Bajrami me Xhakën? “Nuk e njoh ende personalisht, por mezi pres ta takoj. Ai është një shembull për shumë futbollistë të rinj. Për mua ka qenë gjithmonë model, gjithmonë kam parë tek ai.”
Bajrami më herët kishte luajtur për Zvicrën U18. Gjatë kohës te Benfica ai vendosi të ndërrojë kombëtare duke përfaqësuar Shqipërinë, me të cilën ka zhvilluar ndeshje në grupmoshat e reja si dhe tri miqësore me ekipin e parë.
Tani ai është rikthyer te Zvicra. Çfarë ndikoi në këtë vendim? “Unë kam lindur dhe jam rritur në Zvicër. Ky është atdheu im», thotë Bajrami. “Tani që luaj për FC Luzern, e ndiej edhe më shumë se sa mirë ndihem këtu. Rrënjët e mia shqiptare nuk mund t’i fsheh, nuk dua dhe as nuk do t’i mohoj ndonjëherë. Jam krenar për to. Por në thelb është e qartë se Zvicra është shtëpia ime.”



Të tjera
Krasniqi uron kryetarët e rinj pas seancave inauguruese në Komuna
Shtyhet seanca gjyqësore për çështjen ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta
PZAP rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikon Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit