Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit seriozisht e rrezikuar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë ekskluzive në “Jehona Politike” në Klan Kosova ka thënë se Marrëveshja e Ohrit është seriozisht e rrezikuar.

Sipas Ahmetit, VMRO-ja është përgatitur që t’i vënë, siç e quajti ai, gozhda arkivoli kësaj marrëveshjeje, teksa përmendi se Gjykata Kushtetuese në vitin e kaluar mori iniciativë që të hiqet nga përdorimi Ligji i gjuhës shqipe.

“Marrëveshja e Ohrit është seriozisht e rrezikuar. Këta janë përgatitur t’i vënë gozhda të arkivolit. Gjykata Kushtetuese mori iniciativë në material të përgatitur 72 faqësh në dhjetor të vitit të kaluar që të hiqet Ligji i gjuhës shqipe nga përdorimi dhe të mbetet gjuha shqipe në nivel komunal, lokal dhe të flasim ne në shtëpi lirshëm”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, VMRO zgjodhi rrugën nacionaliste ku doli me platformën “Sërish Maqedonia e jotja”, që sipas tij, do të thotë që ta kthejnë sërish Maqedoninë e Veriut tek maqedonasit dhe të përjashtohen shqiptarët dhe komunitetet e tjera.