Në një analizë për portalin “Radar”, profesori serb në pension paralajmëron se çështja e Kosovës po përdoret si mjet politik nga të gjitha palët në Serbi – pushteti, opozita dhe lëvizjet studentore – duke prodhuar iluzione të rrezikshme për të ardhmen demokratike të vendit.
Profesori serb në pension Rade Veljanovski ka paraqitur mashtrimet që, sipas tij, pushteti, opozita dhe madje edhe protestuesit në Serbi po bëjnë rreth çështjes së Kosovës.
Në një artikull të botuar në portalin “Radar”, ai thekson se Serbia sot është e ndarë në dy realitete shoqërore krejtësisht të ndryshme, por që ndahen në një pikë të përbashkët — Kosovën, e cila vazhdon të përdoret si mjet politik dhe ideologjik nga të gjitha palët.
Sipas Veljanovskit, Serbia aktuale ndahet midis Serbisë autoritare të Aleksandar Vuçiqit, të centralizuar dhe jodemokratike, dhe Serbisë pluraliste, që pretendon të jetë liberale dhe proevropiane, por që vuan nga konfuzioni ideologjik dhe politik.
Megjithatë, thotë ai, të dyja këto Serbi gjejnë pikën e takimit tek Kosova, një temë që formalisht shtyhet nga diskursi publik “sepse nuk është momenti i duhur”, por që gjithsesi shpërthen periodikisht në debate dhe protesta.
“Në këtë garë tragjikomike, pyetja që mbetet është: cila Serbi i do më shumë serbët në Kosovë?”, shkruan Veljanovski.
Profesori kritikon edhe opozitën serbe dhe lëvizjet studentore, të cilat, sipas tij, po ndjekin të njëjtën logjikë mashtruese si pushteti.
Ai vëren se e ashtuquajtura “listë studentore”, që përflitet si simbol i rinisë demokratike, në fakt nuk ekziston, ndërsa opozita ende nuk ka arritur të krijojë një strategji të qartë për bashkim ose për zgjedhje.
Veljanovski thekson se disa parti opozitare u japin studentëve “mbështetje morale dhe logjistike”, për të shmangur përgjegjësinë politike, ndërsa të tjera paralajmërojnë hyrje të pavarur në zgjedhje — duke e përsëritur, sipas tij, retorikën populiste të viteve ’90.
Në analizën e tij, Veljanovski ndalet te rritja e ndikimit të nacionalizmit brenda lëvizjeve studentore.
Ai përmend rastin e studentit Nikola Marçetiq, i cili në një protestë në Beograd thirri “Kosova është e Serbisë, nuk ka dorëzim!” dhe kërkoi shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare për Kosovën — nga Brukseli e Uashingtoni deri te marrëveshja franko-gjermane.
Sipas profesorit, ky lloj aktivizmi nacionalist e lidh drejtpërdrejt retorikën e studentëve me atë të pushtetit, duke e bërë kufirin midis “të rinjve rebelë” dhe “strukturave shtetërore” gjithnjë e më të paqartë.
“Në vend që të kërkojnë komunikim me studentët shqiptarë të Kosovës për normalizim marrëdhëniesh, disa studentë serbë këndojnë ‘Oj Kosovo, Kosovo’ dhe kërkojnë kthimin e policisë dhe ushtrisë,” shkruan ai.
Veljanovski thekson se edhe opozita serbe në shumë raste përdor të njëjtin narrativ për Kosovën si pushteti – duke e quajtur “pjesë të pandashme të Serbisë”.
Ai pyet në mënyrë retorike:
“Si mund të luftohet Vuçiq me ideologjinë e Vuçiqit? Pse harrohet se Kosova de facto është jashtë Serbisë që nga vitet ’90, e jo që nga Brukseli apo Ohridi?”
Profesori kujton se strategjia populiste e bashkimit të të gjithëve (“catch-all”), që sot ndjekin studentët dhe opozita, është e njëjta që Vuçiq e përdori për të krijuar “Lëvizjen për Popullin dhe Shtetin”.
Kjo, sipas tij, rrezikon që një “pushtet i ri” të vijë me të njëjtat ideologji të vjetra.
Në fund të artikullit, Veljanovski thekson se Kosova po përdoret si instrument mashtrimi kombëtar, ku flitet për “popullin tonë në Kosovë” duke nënkuptuar vetëm serbët, ndërsa shumica shqiptare injorohet plotësisht.
“Territori quhet i yni, por njerëzit që jetojnë në të – jo. Kështu nuk ndërtohet as demokracia, as Evropa,” përfundon ai.
Profesori apelon se zgjidhja e kësaj krize vlerash dhe vetëdijeje politike kërkon më shumë kohë, përgjegjësi dhe guxim për të pranuar realitetin — gjë që, sipas tij, Serbia e sotme nuk është ende gati ta bëjë.


Të tjera
Katër mënyra për ta kuruar shpejt mykun e gojës
Kosova e sheh Finlandën si shembull dhe model
Shpesh e injorojmë, kjo është bima për mbrojtjen e mëlçisë