Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen që shënoi 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në këtë përvjetor jubilar të AShAK, në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se në historinë moderne të shqiptarëve, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, ndër mungesat më të mëdha, prej të cilave shoqëritë tona dhe kombi ynë ende nuk ka arritur të rikuperohet, është pikërisht mospërfshirja në debatet e mëdha të Modernitetit. Kjo pasi veçmas në shek. XIX, kur kontinenti ynë, Evropa, u përshkua nga revolucioni industrial dhe shkencor, fati ynë politik ishte i atillë që na mbajti larg këtyre lëvizjeve epokale.
“Megjithëkëtë, që nga Helena Peshkopia e cila më 25 qershor të vitit 1678 e mbrojti tezën e saj doktorale, duke u bërë femra e parë në botë me doktoratë në filozofi dhe deri te eruditi Sami Frashëri që në shek. XIX e botoi enciklopedinë e dytë në botë, mes shqiptarëve ka patur gjithmonë njerëz ishullorë, por edhe qarqe që kanë prodhuar dhe qarkulluar dije mes tyre dhe me të tjerët.”, tha kryeministri Kurti.
Krahas urimeve të përzemërta për 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në dekadën e tretë të lirisë së Kosovës dhe në dekadën e dytë të Republikës sonë, kryeministri Kurti, rikujtoi debatin e vjetër dhe kurrë të mbarimtë, atë mes politikës dhe shkencës.
“Publikja është sfera, ku shkenca dhe artet nxjerren në pah duke u publikuar dhe ku nga marrëdhëniet ndërnjerëzore me dijen, me jetën, me natyrën dhe me shoqërinë, njerëzit krijojnë dhe formësojnë botë të reja në vazhdimësi. Duke qenë i kushtëzuar në jetë me të tjerët si vetja, njeriu është qenie politike, një qenie, e cila me habinë e tij ndaj botës dhe me angazhimin e tij për të njohur veten dhe gjithçka rrotull tij, kthehet në kushtin e vetë realitetit. E në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar, pikërisht në kohën e themelimit të AShAK-ut te ne, strukturalistët dhe poststrukturalistët mandej, sidomos ata francezë, po e trajtonin raportin mes dijes shkencore dhe narracioneve për të vërtetën, mes mendimit filozofik dhe pushtetit politik, si dhe mes artit dhe autoritetit”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës është institucioni më sipëror, ku nuk ka mendim që nuk mund të thuhet, nuk ka hipotezë që nuk mund të ngritet dhe ku nuk ka debat që nuk mund të bëhet. Nëpër këtë akademi kanë kaluar të gjitha mendimet e shtjellimet e shoqërisë kosovare dhe kombit shqiptar, nga kryeveprat e artit shqiptar te idetë e rilindasve për shqiptarizmën, deri te refuzimi estetik dhe rezistenca nëpër burgje, si dhe kryengritja e armatosur për çlirimin e Kosovës, pra për jetësimin e paradigmës së lirisë.
Përfundoi fjalën e tij duke shprehur mes tjerash se në kohën kur kanë marrë hov luftërat hibride, inteligjenca artificiale dhe tensionet gjeopolitike, e ku demokracia perëndimore dhe të drejtat e njeriut janë të sulmuara si asnjëherë më parë, akademitë duhet të jenë të zëna si rrallëherë më parë.



Të tjera
Policia e Kosovës dhe Ambasada Amerikane zhvillojnë ushtrim të gjerë sigurie në Prishtinë
Zotëria i Parë Prindon Sadriu ftohet në Shtëpinë e Bardhë në Samitin e Organizuar nga Zonja e Parë, Melania Trump
Paga e 13-të është në buxhetin 2026, por opozita nuk e votoi