Inteligjenca mbetet një nga hallkat më të rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit, duke garantuar që Republika jonë të jetë e përgatitur për çdo sfidë dhe të marrë vendime të informuara. Kështu ka theksuar kryeministri Albin Kurti në një postim në Facebook, një ditë pas vizitës që ka zhvilluar në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Aty është pritur nga drejtori Petrit Ajeti, stafi drejtues dhe zyrtarë të tjerë të AKI-së, derisa vizita është realizuar me rastin e festimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 17-vjetorit të themelimit të AKI-së. Kurti bëri të ditur se gjatë kësaj vizite janë ndarë certifikatat për zyrtarët e rinj, si dhe është përuruar një objekt modern në kompleksin e AKI-së.
“Në kuadër të prioriteteve tona për të mbështetur sektorin e sigurisë, AKI ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rritje të lartë të buxhetit dhe kjo mbështetje do të vazhdojë. Më inkurajon fakti që AKI po avancon vazhdimisht kapacitetet e saj teknologjike, analitike dhe operative, me ambicie dhe objektiva të qarta, duke u përshtatur me realitetin e ri të sigurisë dhe duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar Kurti.
Sipas kreut të ekzekutivit, sukseset e AKI-së përgjatë viteve të fundit kanë kontribuuar në sigurinë kombëtare, rajonale dhe më gjerë, në bashkëpunim të afërt me institucionet vendore dhe shërbimet partnere.
“Kërcënimet nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi dhe radikalizmi, krimi i organizuar dhe format tjera të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, janë trajtuar me profesionalizëm, duke ndikuar në avancimin e sigurisë kombëtare”, ka shtuar Kurti.
Kryeministri ka thënë se ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e tij për stafin drejtues dhe të gjithë zyrtarët e AKI-së, që siç tha, shërbejnë me nder, përkushim të lartë dhe atdhedashuri, në një profesion që është mision, shpesh në heshtje, por gjithmonë në mbrojtje të Republikës dhe të qytetarëve të saj.



Të tjera
Meshkujt hanë më shumë për t’iu lënë përshtypje femrave
Shteti i Iowa-s zë vend të veçantë në historinë moderne të Kosovës
Chelsea pëson golin e barazimit në sekondat e fundit të ndeshjes