Aksion antidrogë në Prishtinë, sekuestrime dhe një i ndaluar

Aksion antidrogë në Prishtinë, sekuestrime dhe një i ndaluar

Një aksion i zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë ka rezultuar me ndalimin e një të dyshuari dhe sekuestrimin e sasive të ndryshme të lëndëve narkotike, si dhe dëshmive tjera relevante.

Policia njofton se gjatë kontrollit të një automjeti në mbrëmjen e 18 shtatorit 2025, policia gjeti 0.6 gramë kokainë dhe 3.5 gramë marihuanë tek njëri nga të dyshuarit. Ndërkohë, një tjetër i dyshuar arriti të ikë duke braktisur veturën, por la pas një qese me 41.8 gramë marihuanë, 180 euro dhe një telefon që u sekuestruan si prova.

Pas konsultimit me prokurorin, janë kontrolluar banesat e të dyshuarve. Në njërën prej tyre u gjetën 545.6 gramë marihuanë, një peshore dhe dëshmi të tjera. Në banesën e dytë u zbuluan 9.2 gramë marihuanë, 15 kuti plastike me kërpudha narkotike dhe 179 kavanozë me fara në fazë prodhimi për kërpudha.

I dyshuari L. A., mashkull kosovar, është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë pa ndërprerë luftën kundër narkotikëve dhe fton qytetarët të raportojnë çdo veprim të dyshuar.