Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve: L.B., L.M., F.M. dhe Sh.Gj., për veprën penale “Grabitja”. Përveç kësaj, kundër të pandehurit L.M. është ngritur aktakuzë edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 21 maj 2025, rreth orës 23:35, në Pejë, të pandehurit, duke vepruar si anëtarë të një grupi, me armë dhe duke përdorur forcë dhe kanosje serioze, kanë kryer grabitjen e pompës së derivateve DHF në Pejë.
“Ata fillimisht siguruan një armë të gjatë, pastaj me veturën e njërit prej tyre shkuan në vendin e ngjarjes, ku vendosën maska në kokë. Më pas, dolën nga vetura me armë dhe hynë në marketin e pompës. Nën kërcënimin e armës dhe kanosjen serioze, i morën punëtorit të kompanisë shumën prej 905 eurosh. Pas grabitjes, ata u larguan me veturë dhe paratë i ndanë në mënyrë të barabartë”, thuhet në njoftim.
Prokurori i rastit ka kërkuar dënimin e të pandehurve, konfiskimin e veturës Golf II, konfiskimin e shumës prej 575 eurosh të gjetur tek të pandehurit, konfiskimin e armës, si dhe lëshimin e urdhrit për kompensimin e dëmit të shkaktuar viktimës si pasojë e kësaj vepre penale.
Të tjera
Prania e NjSO-së në punimet e urës së re mbi lumin Ibër, deklarohen nga Policia
Ata kanë një të përbashkët, dashurinë për Kosovën
Kryediplomati belg paralajmëron “krizë të madhe” nëse qeveria nuk ashpërson qëndrimin ndaj Izraelit