Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se paralajmërimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë për rrezikun nga grupet terroriste të lidhura me Iranin është i paprecedentë në Europë dhe shumë serioz.
Sipas tij, kjo tregon se SHBA kanë informacione konkrete për një kërcënim të mundshëm në Shqipëri.
Ai ka theksuar se rreziku rritet për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Iranin dhe strehimit të muxhahedinëve iranianë, që kanë thelluar konfliktin mes dy vendeve.
“Është hera e parë që një ambasadë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lëshon një paralajmërim si ai i lëshuar nga ambasada amerikane në Tiranë, me të cilën tërhiqet vëmendja për kujdes nga grupet terroriste të lidhura me Iranin. Asnjë ambasadë në kontinentin europian nuk e ka bërë këtë. Kjo do të thotë se njoftimi i kësaj ambasade është vërtet serioz për dy arsye:
Së dyti, sepse Shqipëria është i vetmi vend europian që ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet, përfshirë edhe atë diplomatike me Iranin, në shenjë hakmarrjeje për agresionin kibernetik në të dhënat sensitive të AKSH-it dhe e-Albania. Vendi ynë ka marrë gjithashtu një rrisk të shtuar kur pranoi 3000 muxhahedinë iranianë në territorin e saj, të cilët përbëjnë bërthamën e opozitës së papajtueshme me regjimin e Teheranit. Madje ky veprim, marrja në mbrojtje e këtyre muxhahedinëve iranianë, është shkaku themelor i konfliktit midis Shqipërisë dhe Iranit”, ka thënë ai.
Profesori ka vlerësuar se nuk është normale që një shtet të shënjestrojë një tjetër për sulme terroriste për shkak të strehimit të opozitarëve iranianë, duke e cilësuar këtë si një “aventurë”.
Gjithashtu, ai ka shtuar se dhënia e azilit është detyrim moral dhe akt human, por kritikon mënyrën si është bërë nga qeveria aktuale.
“A është normale që një vend të shënjestrojë një vend tjetër për sulme terrori pse qeveria e atij vendi është angazhuar për të strehuar opozitarët iranianë? Sigurisht që është aventurë kjo që paralajmërohet nga ambasada amerikane. Shqipëria, duke marrë në mbrojtje si azylantë politikë pjesëtarët e opozitës së Iranit, ka bërë një shërbim human. Në fund të fundit edhe unë jam marrë në mbrojtje nga shteti gjerman, duke më dhënë statusin e azylantit politik, për shkak të përndjekjes nga qeveritë socialiste policia sekrete e tyre me Fatos Klosin në krye! Marrja në mbrojtje e të përndjekurve politikë është detyrim moral i një vendi dhe një shoqërie demokratike.
Dhe nëse shohim motivet e marrjes në mbrojtje të opozitës iraniane, atëherë na del se Irani nuk ka asnjë arsye legjitime të ndërmarrë akte dhune e terrori në Shqipëri për shkak të kësaj opozite. Normalisht nuk mund të ndëshkohen popujt për veprimet e diktatorëve”, është shprehur profesori.
Tutje, Bytyçi ka paralajmëruar se ndonëse është folur për sulme me raketa, rreziku më realist sipas ambasadës amerikane lidhet me akte terroriste në vende publike si restorante apo zona turistike.
Ai ka potencuar se ky paralajmërim nuk po merret mjaftueshëm seriozisht, ndërsa në rast sulmesh në Europë, Shqipëria mund të jetë ndër shënjestrat e para për shkak të konfliktit me Iranin.
“Është folur këto javët e fundit vazhdimisht për mundësinë e një sulmi iranian me raketa balistike me rreze të gjatë veprimi kundër qendrës së këtyre refugjatëve në Manëz të Durrësit. Por askush nuk e ka marrë parasysh një version të tillë. Tani ambasada amerikane flet për akte terroriste në mjedise publike, restorante, qendra turistike, vende të populluara etj. Shpresojmë të mos ndodhë. Madje njerëzit duket se nuk e kanë marrë aq seriozisht këtë paralajmërim. Por duhet thënë se nëse iranianët sulmojnë me akte të tilla ndonjë vend europian, shënjestra e parë do të ishte Shqipëria për ato arsye që përmendëm më lart.
Nga ana tjetër, dihet se aktet e dhunës nga Irani motivohen nga ideologjia e sakrificës dhe vetëmohimit. Pra është metoda kamikaze e veprimit që është ushqyer në këtë vend dhe sa më shumë të zgjasë konflikti dhe lufta kundër Iranit, aq më e rrezikuar do të jetë Perëndimi prej akteve të tilla. Garda Revolucionare e Iranit ka trajnuar mijëra kamikazë, të cilët janë të gatshëm të godasin e të bëhen, siç i thonë ata, shehitë në emër të vendit të tyre. Nëse kjo armatë njerëzish e indoktrinuar hidhet në veprim, jo vetëm Shqipëria, por e gjithë Europa do të tronditej. Kjo është arsyeja kryesore pse vendet europiane kundërshtojnë thirrjet e presidentit Trump për t’iu bashkuar luftës kundër Iranit. Por kryeministri ynë i thoshte një gazete franceze para pak ditësh se “Shqiptarët nuk kanë frikë“, ndërkohë që europianët janë të alarmuar!”, është shprehur Bytyçi.
Bytyçi ka kritikuar se shqiptarët nuk po tregojnë kujdes ndaj kërcënimeve, ndërsa ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se janë të përqendruar te problemet e brendshme dhe jo te rreziku iranian.
“Fatkeqësisht shqiptarët nuk kanë as kujdes, përveçse nuk kanë frikë. Sepse qeveria dhe kryeministri janë të zënë me frikën e ndëshkimit për aferat korruptive të tyre. Janë të angazhuar me fushatën linçuese kundër opozitës dhe nuk duan t’ia dinë për kërcënimet iraniane. Konflikti vazhdon e ndërkohë nuk kemi parë që në Shqipëri të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Nuk ndodh kjo, sepse këtë këshill e drejton presidenti dhe kryeministri nuk pranon që kreu i shtetit t’i bëjë hije atij. Nuk dëshiron që publiku ta shohë si të dytë në një tryezë, të cilën e drejton presidenti. Kemi një kryeministër që bën të tilla llogari dhe harron më pas se mund të paguajë edhe një faturë të rëndë për të cilën paralajmërojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Bytyçi.



Të tjera
Sodë buke dhe mjaltë, një kurë natyrale për njerëzit me probleme dermatologjike
Proʻtesta masive në Tel Aviv kundër lu*ftës me Iranin
Beteja e udhëheqësve të UÇK-së në Hagë po shkon drejt fundit