“Albulena Haxhiu apo…!”, zbërthehet skenari i zgjedhjes së kryeparlamentarit nga ana e LVV-së: Po fiton kohë!

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta përmbyllë konstituimin as në herën e tretë, kur seanca u vazhdua të shtunën më 19 prill.

Pasi kaluan mospajtimet për raportin që verifikon mandatet e deputetëve, ligjvënësit u betuan si deputetë, por dështuan që të zgjidhnin kryesinë e Kuvendit.

Albulena Haxhiu, kandidate nga LVV-ja për kryetare të Kuvendit, dështoi të zgjidhet në dy votime.

E në lidhje me këtë zgjedhje të LVV për kryeparlamentare dhe seancën në tërësi, foli analisti politik, Gani Qarri.

Sipas tij, situata e sigurisë është e brishtë dhe për këtë duhet që sa më shpejt të formohen institucionet e vendit.

“Përveç miratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe dhënien formale të betimit, në fakt nga deputet e legjislaturës vijuese, më 19 Prill, do duhej zgjedhur kryetari dhe formuar Kuvendi, si dhe të votohej edhe për Qeverinë e re, ngase vendit tonë, në gjendjen e paqëndrueshme aktuale, urgjentisht i nevojiten institucionet e reja qeverisëse.

Për të gjithë ata që kanë sy të shohin dhe veshë të dëgjojnë, si dhe marrin zhvillimet seriozisht, situata e brishtë dhe e paqëndrueshme e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ka detyruar edhe vet zonjën Kaja Kallas të bëjë një deklaratë shqetësuese, e cila me të drejtë, nga ekspertët e sigurisë, po konsiderohet si një alarm praktik, se gjendja e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është në fazë kritike dhe ka mundësi të përkeqësohet edhe më tej, veçanërisht nga acarimi i konfrontimeve politike ndërmjet federatës së Bosnjë Hercegovinës dhe të ashtuquajturës “republika srpska””.

Po ashtu, Qarri përmendi edhe propozimin që AAK bëri për Saranda Bogujevcin për kryeparlamentare, e që sipas tij do ishte vendim i duhur, duke parë që Albulena Haxhiu dështoi në dy votimet e para.

Image

Gani Qarri.

“Por përkundër gjendjes delikate, ku jo vetëm Bosnja apo rajoni, por edhe vendi ynë, me një fqinj armiqësor dhe agresiv si Serbia hegjemoniste ndodhen në situatë mjaft fragjile, me 19 prill, duke qenë se nuk u propozua Saranda Bogujevci, e cila ka përvojë me udhëheqjen e seancave të Kuvendit edhe nga mandati i kaluar,dhe realisht është edhe personi i duhur dhe meritor për këtë post, që edhe nga AAK, u tha se, ajo do të votohej, deputetët miratuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe bën betimin, por nuk votuan edhe emrin e Albulena Haxhiut të propozuar nga LVV për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës”, shpejgoi ai.

Ndër të tjera, analisti shtoi se Haxhiu nuk është një kandidate e pranueshme për opozitën, gjë që e konfirmoi edhe votimet kundër saj.

Derisa, potencoi se ky është kalkulim politik për të fituar kohë për negociatat me Nismën dhe deputetët e komuniteteve joserbe.

“Duket se kandidatja e propozuar nga LVV, nuk ishte e pranueshme për opozitën, ndaj pas betimit të deputetëve, Kuvendi dështoi që të zgjidhte zonjën Haxhiu, për postin e kryeparlamentares, propozim që më tepër, po tingëllon,  të jetë përdorur si formë e manovrimit politik edhe nga LVV, sesa veprim i mirëmenduar i saj, në mënyrë që partia fituese e zgjedhjeve, të fitojë edhe pak kohë për të negociuar me ndonjërin nga deputetët e pakicës jo-serbe dhe Fatmir Limajn, i cili përflitet sikur ka kërkuar postin e kryeparlamentarit për partinë e tij, si dhe uljen e pragut zgjedhor, ngase në rast të shkuarjes ndaras në zgjedhje të reja, ekziston rreziku, që Nisma as AAK, njëra as tjetra, nuk do ta kalojnë më, pragun aktual zgjedhor”, përfundoi Gani Qarri