Ushtrimet shumëkombëshe ose të NATO-s në fusha të ndryshme, përfshirë atë të kibernetikës dhe kërkim-shpëtimit pritet të realizohen në kuadër të aleancës ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e për të cilat është paralajmëruar të bëhet finalizimi i planit në shtator. Sa i përket koordinimit për blerjet e përbashkëta ndërmjet anëtarëve të aleancës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë, kjo ende nuk ka filluar.
Aleanca ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë synon ta rrisë ndërveprueshmërinë e palëve edhe në ushtrime shumëkombëshe ose të NATO-s në fusha të ndryshme, kanë bërë të ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë. Për dallim nga Kroacia e Shqipëria, Kosova nuk është anëtare e NATO-s. Siç kanë thënë në ministrinë kroate përmes një përgjigjeje me shkrim për KOHËN, format e pjesëmarrjes do të përcaktohen pas bisedimeve të përbashkëta me ekspertët.
“Një nga fushat e përcaktuara të bashkëpunimit është rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit dhe ushtrimeve të përbashkëta. Qëllimi është që palët e Marrëveshjes të ftohen të marrin pjesë në ushtrime kombëtare, shumëkombëshe ose të NATO-s në fusha të ndryshme (mundësisht në fushën kibernetike, kërkim-shpëtim, etj). Më shumë nga këto do të përcaktohet në të ardhmen, pas bisedimeve të përbashkëta mes ekspertëve”, shkruan në përgjigjen e Ministrisë kroate.
Takimi i parë zyrtar në nivel strategjik dhe operacional midis përfaqësuesve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës u mbajt në Tiranë, në korrik. Sipas Qeverisë kroate, qëllimi i takimit ishte të diskutohej dhe të propozonin aktivitete të përbashkëta në fusha të ndryshme funksionale, si dhe të hartohej një planveprimi për bashkëpunimin e ardhshëm.
“Pas nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët, vendet nënshkruese filluan hartimin e një dokumenti të quajtur Plani i Veprimit, i cili operacionalizon më tej objektivat e përcaktuara në Deklaratë, në përputhje me fushat e caktuara të bashkëpunimit, si dhe aktivitetet konkrete të përbashkëta në nivelin e ministrive të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura”, kanë deklaruar nga Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.
Edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës patën deklaruar se konkretizimi i bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, me një plan zbatimi do të bëhet në shtator. Udhëzuesi përfundimtar është planifikuar t’u paraqitet për miratim tri ministrive në shtator.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, pati thënë se bashkëpunimi përfshinë edhe blerjen e armatimit. Sipas tij, synohet që të bëhet një porosi për blerje në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet, të cilat do të bëhen me fonde kombëtare të secilit shtet.
E në Ministrinë e Mbrojtjes së Kroacisë thanë se koordinimi për blerjet e përbashkëta ndërmjet anëtarëve të aleancës ende nuk ka filluar.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Tri shtetet janë zotuar të rrisin ndërveprueshmërinë mes ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, do të angazhohen që të luftojnë kërcënimet hibride, si dhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.
Në preambulë tregohet se deklarata është firmosur duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Kroacisë dhe asaj të Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal. Po ashtu, edhe duke riafirmuar synimin për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian.
Po ashtu, në preambulë theksohet se deklarata është arritur, edhe duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar. Deklarata e nënshkruar në Tiranë lë mundësinë që edhe vendet e tjera t’u bashkohen, teksa është bërë e ditur se ftesë ka marrë Bullgaria.
Kjo marrëveshje kishte nxitur reagimin e Serbisë, por nënshkruesit theksuan se bashkëpunimi nuk kërcënon askënd, dhe është garanci për stabilitetin dhe paqen në rajon.
Të tjera
Zyrtarët që shesin Kosovën për interesa të Serbisë”
“Simboli i vrapueses dhe zgjerimi i rrugëve” – Shaqir Totaj tregon projektet për Prizrenin
Imri Ahmeti: Tubimi në Sllovi, mesazh i fuqishëm besimi dhe përkrahjeje