Debati mbi vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka hyrë në një fazë të re pas deklaratës së lëshuar nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë. Në reagimin e saj zyrtar, ambasada kërkoi nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë në Kosovë të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit, duke theksuar se çdo sulm apo kritikë ndaj Gjykatës Kushtetuese mund të konsiderohet ndërhyrje e papranueshme në punën e saj.
Ky qëndrim erdhi vetëm dy ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shprehu hapur kritikat e tij ndaj vendimeve të fundit të gjykatës më të lartë në vend, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e Kuvendit të Kosovës.
E ndaj kësaj deklarate të ambasadës gjermane, ka reaguar ashpër profesori Enver Bytyçi.
Në një reagim dërguar “Bota sot’, profesori e cilësoi deklaratën e ambasadës si të njëanshme, të padrejtë dhe në funksion të mbrojtjes së interesave të Listës Serbe – sidomos në kontekstin e vendimit që lidhet me deputetin Sllavko Simiq, i cili dyshohet për lidhje me organizatorët e sulmit terrorist në Banjskë.
Ambasada e RF të Gjermanisë ka reaguar në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se çdo kritikë ndaj saj ose anëtarëve të saj, konsiderohet ndërhyrje në gjyqësor. Kjo, thotë ambasada gjermane, cënon pavarësinë e gjyqësorit. Madje paralajmëron dhe jo vetëm qorton partitë politike dhe individët që kritikojnë vendimin e fundit të kësaj gjykate për të bllokuar punimet e legjislativit.
Por sipas ambasadës gjermane paska një grup njerëzish, gjykatësit e kushtetueses së Kosovës, të cilët duhet të jenë të paprekshëm, të pakritikueshëm. Sepse, sipas saj, këta gjyqtarë, më pak se gishtat e të dy duarve, nuk gabojnë, pasi ata qenkan perfekt. Kur kjo gjykatë vendos sipas dëshirave të gjermanëve, francezëve etj, ajo është perfekte, e paprekshme dhe e pacënueshme. Nëse do të merrte ndonjë vendim që nuk i shkon për shtat kësaj apo një ambasade tjetër, atëherë ajo do të qortohej.



Të tjera
Viktor Buzhala aderon në Guxo
Gjestet dhe frazat që kanë më shumë vlerë se një “të dua”
Kryeziu thotë se Osmani ka dalë nga roli i saj dhe është angazhuar për ta mbështetur VV’në