Ambasada në Katar thirrje shqiptarëve: Zbatoni me përpikëri udhëzimet

Ambasada në Katar thirrje shqiptarëve: Zbatoni me përpikëri udhëzimet

Ambasada e Shqipërisë në Katar njoftoi sot se po monitoron nga afër zhvillimet mbi situatën e sigurisë rajonale në tërësi, dhe në veçanti në Katar, në koordinim të ngushtë me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, autoritetet e Katarit si dhe Përfaqësitë Diplomatike rezidente në Doha.

Ambasada njofton se aktualisht, kushtet e nevojshme të sigurisë nuk janë të favorshme për të rifilluar aktivitetet normale të përditshme.

Për rrjedhojë, ambasada këshillon qytetarët shqiptarë në Katar të qëndrojnë brenda banesave dhe rezidencave e tyre, në rast shpërthimesh të mëtejshme, si dhe të marrin masat e nevojshme paraprake në këtë situatë, duke shmangur lëvizjet e panevojshme, si dhe duke ndjekur udhëzimet dhe protokollet e publikuara nga autoritetet lokale.

Ambasada bën thirrje për qetësi, kujdes të shtuar, vigjilencë dhe durim për tejkalimin e kësaj situate të vështirë.

Aktualisht ambasada njofton se hapësira ajrore e Shtetit të Katarit vijon që të jetë e mbyllur, deri në njoftim të dytë.

Me qëllim shmangien e informacioneve të pasakta, Ambasada ripërsërit rëndësinë e ndjekjes së informacioneve përmes mediaeve të besueshme vendase si dhe atyre ndërkombëtare.

Gjithashtu inkurajon zbatimi me përpikëri i udhëzimeve të lëshuara nga autoritetet e Katarit në kohë reale, adresuar në aparatet celularë.

“Së bashku do të qëndrojmë në kontakt të vazhdueshëm përmes emailit dhe kanaleve të mediave sociale të Ambasadës në Facebook, X dhe Instagram si dhe grupit në WhatsApp: Komuniteti Shqiptar Doha. Në rast emergjence, linjat telefonike të Ambasadës, si vijon, janë në dispozicion 24/7: +974 77180778; +974 30079922”, thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës shqiptare në Katar.