​Ambasadori Antonini: Italia mbështet integrimin e Kosovës në BE dhe NATO

Ambasada e Italisë në Prishtinë ka organizuar sonte pritje për personalitete të larta në Kosovë, me rastin e festës kombëtare italiane.

Ambasadori i ri i Italisë, Maurizio Antonini, tha se Dita e Republikës së Italisë është një simbol i unitetit kombëtar dhe i demokracisë.

Ai para të pranishmëve tha se Italia mbështet rrugën euro-integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian duke përmendur rëndësinë e zgjerimit të BE-së në Ballkan si një strategji kyçe për stabilitetin politik dhe sigurinë e të gjithë kontinentit.

Antonini: Italia mbështet integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike

Një fjalë rasti në këtë ceremoni mbajti edhe presidentja Vjosa Osmani duke vlerësuar mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës si një mike e palëkundur në kohët më të vështira, si dhe gjatë rrugëtimit të vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Osmani: Italia mike e palëkundur për Kosovën

“Italia ka qenë një mike e palëkundur për Kosovën në kohët tona më të vështira dhe gjatë gjithë rrugëtimit tonë përpara. Që nga ditët e para të çlirimit tonë, trupat italiane kanë shërbyer në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja dhe kanë qëndruar krah për krah me ne, duke na ofruar shpresë kur na duhej më shumë. Në mesin e shumë aleatëve tanë të fortë, Italia qëndron si një vend që ka vepruar vazhdimisht përtej detyrës, duke ofruar jo vetëm mbështetje politike dhe ushtarake, por edhe miqësi të vërtetë. Ne jemi veçanërisht mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të Italisë për shtetësinë e Kosovës, duke qenë një nga vendet e para që njohu pavarësinë tonë dhe duke mbështetur gjithashtu aspiratat tona për integrim të plotë euroatlantik”, tha ajo.

Pjesë e festës kombëtare të Italisë ishin edhe ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe liderë partiakë, por jo edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.