Analisti tregon pse Albin Kurti e nominoi Glauk Konjufcën për kryeministër

Pasi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk i mori votat e mjaftueshme në Kuvend për t’u zgjedhur kryeministër, presidentja e vendit ka mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës, mandatari ka afat 15 ditë për t’ia prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit, që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.

Ky veprim ka hapur një fazë të re politike në Kosovë, duke sjellë reagime të shumta mbi qëllimet e këtij vendimi.

Sipas analistit politik Faton Mehmeti, ky është një hap strategjik i menduar mirë nga Kurti, me synimin për ta mbajtur kontrollin politik brenda Vetëvendosjes dhe për t’ia kaluar topin opozitës.
Image

Faton Mehmeti

Sipas tij, veprimi i Kurtit është një test për opozitën.

“Tani topi është pa dyshim në fushën e opozitës. Ajo duhet të vendosë nëse do të marrë përgjegjësinë për formimin e qeverisë apo do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Ky është një moment testues për LDK-në, PDK-në dhe AAK-në nëse do të arrijnë të bashkëpunojnë për stabilitet institucional apo do të vazhdojnë logjikën e bllokadës”, shton Mehmeti.

“Në këtë fazë pritet që skena politike të hyjë në një dinamikë të re: nëse opozita dështon të tregojë pjekuri politike, Kurti mund të dalë edhe më i fortë në zgjedhje të mundshme, duke e shitur narrativën se ‘nuk e lanë të qeverisë’”, përfundon analisti Faton Mehmeti