Analizë nga Kadri Kryeziu: Prapaskenat e moskoalicionit mes PDK-së dhe LDK-së

Juristi Kadri Kryeziu ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke vënë në pikëpyetje logjikën e koalicioneve lokale ndërmjet partive të mëdha.

Në një postim në Facebook, ai shkruan se nëse koalicioni me LVV-në në Vushtrri shihet si “herezi”, ndërsa bashkëpunimet me PDK-në në Prizren e Mitrovicë konsiderohen “parimore”, atëherë lind pyetja pse PDK nuk po bën koalicion me LDK-në në Prishtinë.

Sipas Kryeziut, PDK po llogarit afatgjatë, duke e parë fitoren e mundshme të Hajrullah Çekut si përgatitje terreni për rikthimin e Uran Ismajlit pas katër vjetësh. Nga ana tjetër, ai thotë se Lumir Abdixhiku po synon të dobësojë Përparim Ramën, rivalin e tij të brendshëm në LDK, përmes qëndrimit kundër koalicionit.

Postimi i plotë:

Nëse koalicioni me LVV-në në Vushtrri konsiderohet “herezi”, ndërkaq koalicionet me PDK-në në Prizren dhe Mitrovicë paraqiten si “parimore”, atëherë del pyetja e pashmangshme: pse PDK nuk po lidh koalicion me LDK-në në Prishtinë?

Kjo dilemë shpalos kalkulimet reale të partive, përtej retorikës morale. Për mua, interpretimi është i qartë:

PDK beson se nëse Hajrullah Çeku fiton Prishtinën, pas katër vjetësh Uran Ismajli do të ketë terren të përgatitur për t’ia marrë atë LVV-së — pa u djegur në një bashkëqeverisje të përkohshme që do ta konsumonte politikisht.

Në anën tjetër, kur Lumir Abdixhiku deklaron se “mjafton marrëveshja xhentellmene” dhe se “nuk ka nevojë për koalicion me PDK-në”, nuk po flet vetëm për parime institucionale — por për aritmetikë të brendshme. Ai kërkon ta dobësojë Përparim Ramën, të cilin e sheh si pretendent serioz për ta marrë drejtimin e LDK-së.