Kosova ditë më parë është bërë anëtare e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC). Anëtarësimi i vendit tonë në këtë institucion ndërkombëtar, nga analistë të integrimeve evropiane dhe përfaqësues të bizneseve po konsiderohet si një mundësi strategjike për të forcuar vendin në dialogun evropian socio-ekonomik, për të ndërtuar kapacitete brenda shoqërisë civile dhe për t’u përgatitur për integrim më të thellë në BE. Megjithatë, sipas tyre, ajo varet edhe nga përmbushja e kushteve (si statusi kandidat) dhe angazhimi për ndërmarrje reale, jo vetëm formale. Ndonëse, nga Qeveria në detyrë, përkatësisht nga Zyra e Zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian nuk janë deklaruar për KosovaPress lidhur përfitimet e mundshme të vendit tonë nga kjo organizatë.
Hulumtuesja e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëresha Loxha, thekson për KosovaPress se EESC për Kosovën shërben si një hap fillestar në rrugën e saj integruese për integrim evropian.
Përveç kësaj, Loxha potencon se shoqëria civile, do të mund të ndjek trajnime dhe të shkëmbejnë përvoja të vendeve të cilat janë më të avancuara në këtë drejtim në kuadër të imazhit ndërkombëtarë.
Loxha: Për Kosovën shërben si një hap fillestar në rrugën e saj integruese për integrim në BE
Derisa drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti, vlerëson se anëtarësimi në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e ambientit të biznesit në vend, i cili sipas tij po kalon një periudhë shumë të vështirë, duke përmendur bllokimin e avancimit të vendit në aspektin politik e po ashtu edhe ekonomik.
“Konsideroj që përfiton Kosova, e cila është e bllokuar si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin ekonomik. Si vend që aspirojmë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, vendi ynë mund të marr ndihmë për të qenë sa më të përgatitur në aspektin e politikave sociale dhe atyre ekonomike sipas standardeve evropiane. Kjo do të mundësonte që të fuqizohej angazhimi ynë si shoqatë drejtë përfshirjes sa më të madhe në dialogun social, i cili viteve të fundit ka munguar shumë. Gjithashtu, presim që ky hap të ndikonte në përmirësimin e ambientit të bërit biznes, i cili po kalon një periudhë shumë të vështirë”, thekson Ahmeti në një përgjigje me shkrim.
Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Besnik Avdija ka theksuar rëndësinë e përfitimeve të vendit tonë në aspektin ekonomik.
Avdija shton se nga planifikimet buxhetore miliardëshe të organizatës EESC, mund të përfitoj edhe Kosova.
Ndërkaq, drejtori i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Dren Puka thekon për KosovaPress se anëtarësimi në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian është një moment i rëndësishëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.
Puka duke treguar procesin e rrugëtimit drejt anëtarësimit në EESC, thekson se KCSF, ka mbajtur takime me udhëheqës të këshillit kur Kosova nuk u pranua për herë të parë në këtë komitet dhe se në mënyrë joformale ata premtuan që do të bëhet anëtarësimi edhe i vendit tonë.
“Ky është ndër hapat e parë dhe tejet të rëndësishëm të BE-së për me integrua Ballkanin Perëndimorë nëpër strukturat e saja zyrtare para anëtarësimit formal të vet shteteve. Ky proces ka nisur nga viti 2024 përmes këshillit ekonomiko-social, megjithatë në kohën kur vendimi për përfshirje të Ballkanit, Kosova ka mbetur jashtë si i vetmi shtet dhe ne nuk kemi mundur me qenë pjesë. Ne patëm reagua mbi këtë, në atë kohë dhe tash e vlerësojmë si padrejtësi. Në maj të vitit 2024 kemi pasur takime me udhëheqës të këshillit në Lubjanë dhe të tjera në Bruksel, ku jofromalisht është kumtuar arsyeja pse nuk jemi përfshirë që ndërlidhen kryesisht me arsyeje politike dhe mungesën e statusit tonë si vend kandidat për anëtarësim në BE”, ka thënë Puka.
Përkundër ankesave të shumta të bizneseve, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk e ka funksionalizuar Këshillin Ekonomik Social. Nga kjo ministri nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress se kur pritet të bëhet funksional ky këshill, i cili nuk është në funksion tash mbi tri vjet.
Vendet e rajonit, me anëtarësimin në vitin 2024, si vende joanëtare të BE-së, kanë përfituar përmes kësaj përfshirjeje të jenë pjesë e politikave të cilat harton BE-ja dhe si e tillë ka qenë edhe opinioni i dhënë i parlamentit të BE-së për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimorë.
Ky komitet përbëhet nga tri grupe: Grupi i Punëdhënësve, Grupi i Punëtorëve dhe Grupi i Organizatave të Shoqërisë Civile.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.
Komiteti ka selinë në Bruksel dhe përbëhet nga 329 anëtarë nga të gjitha 27 shtetet e BE-së. Vetëm anëtarët që vijnë nga shtetet e BE-së kanë të drejtë vote në EESC. Anëtarët vijnë nga fusha të ndryshme dhe ata përfaqësojnë shoqata punëtorësh, industri, dhoma të tregtisë, shoqata për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, konsumatorë, fermerë, mbrojtës të të drejtave të njeriut.



Të tjera
Koha e mbështetjes për Kosovën
Pilotët e Forcës Ajrore shqiptare dhe të FSK-së me trajnim të përbashkët
10 parfumet për meshkuj të cilat “çmendin” femrat