Anëtari i “Guxo” vlerëson thirrjen e Osmanit: Lista Serbe po zbaton planin e Vuçiqit për ndarjen e Mitrovicës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të martën se puna e Kuvendit nuk duhet të pengohet për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari.

Ajo kritikoi Listën Serbe, duke e akuzuar se po përpiqet të bllokojë formimin e institucioneve të vendit.

“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.

Anëtari i Listës “Guxo”, Kujtim Hajdaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se thirrja e Presidentes Vjosa Osmani duhet të merret seriozisht nga partitë politike, institucionet e shtetit, mediat dhe Gjykata Kushtetuese.

“Thirrja e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonj. Vjosa Osmani, në raport me zhvillimet politike në Kosovë, duhet të zënë hapsirë në tërë opinionin tonë publik…, qoftë tek partitë, institucionet e shtetit, mediat e duke përfshirë këtu edhe vet Gjykatën tonë Kushtetuese.

Thirrja e Presidentes po bëhet në momentin e duhur por edhe kritik për shtetin tonë, duke e parë rrezikun që Lista ‘Srpska’ po e paraqet për funksionimin demokratik e institucional të Republikës së Kosovës. T’ua përkujtoj se Lista ‘Srpska’ është autore e të gjitha lëvizjeve politike dhe jo politike që kanë ndodhur në Veri të Mitrovicës që ndërlidhen me politikën e Vuqiqit, për të penguar dhe sabutuar funksionimin e shtetit tonë si shtet i pavarur dhe sovran. E gjithë dhuna që është orkestruar përgjatë viteve të tëra në Veri të Mitrovicës kundër policisë sonë, forcave paqeruajtëse të KFOR-it dhe gazetarëve e deri të akti terrorist që e organizuan në shtator 2023 me ç’rast u vra rreshteri Afrim Bunjaku, origjinën e ka nga Lista ‘Srpska’ më synim të krijimit të rrethanave të reja politike të shkëputjes së Veriut të Mitrovicës nga territori sovran i Republikës së Kosovës.

Përveç kësaj, t’u përkujtojë se Lista ‘Srpska’ nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe simbolet tona shtetërore, dhe duke e quajtur vazhdimisht Kosovën, si “Kosovo i Metohija’. Pra thjeshtë, Lista ‘Srpska’ si dorë e zgjatur e politikës së Vuqiqit, është duke zhvilluar luftë speciale kundër shtetit tonë, të pavarur dhe sovran”, shprehet ai.

“Prandaj, me të drejtë, Presidentja e sqaroi shumë mirë këtë situatë politike duke i hudhur poshtë pretendimet se vetëm Lista ‘Srpska’ (si parti politike) e ka të drejtën të thirret si pronare e komunitetit serb dhe minoriteteve tjera joserbe në kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky mesazh i Presidentes duhet të merret shumë seriozisht nga partitë opozitare por edhe nga Gjykata e jonë Kushtetuese, sepse në të kundërtën, e sjellin në rrezik punën e institucioneve tona të sigurisë ne Veri të Mitrovicës, duke e përfshirë këtu edhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Por mos të harrojmë se nëse Lista ‘Srpska’ e ka krijuar këtë situatë polarizuese politike të pa precedent për një shtet të pavarur siq është Kosova, kjo po ndodhë për shkak të lëshimeve të shumta që qeveritë e vjetëra ia kanë bërë Listës ‘Srpska’ duke u thirrur gjëja për një “stabilitet ” politik në Veri të Mitrovicës.

Lista ‘Srpska’ si satelit i Serbisë e as vet Vuqiqi, nuk donë të drejta minoritare e as stabilitet politik në Veri të Mitrovicës apo në lokalitete tjera të Kosovës, por thjeshtë donë të pengojnë Kosovën të funksionojë si shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur. Sigurisht, Vuqiqi dhe pionet e tij të Listës ‘Srpska’ me këtë situatë të krijuar – që fatkeqësisht po i mundësohet edhe nga opozita në Kosovë – donë të tërheqin vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga kriza e madhe politike dhe protestat e përditshme masive që e kanë përfshirë Serbinë kundër pushtetit kriminal dhe të korruptuar të Vuqiqit.

Presidentja e tha, dhe kështu duhet të kuptohet drejtë, se institucionet e Republikës së Kosovës, pra duke e përfshirë këtu edhe konstituimin e kuvendit, nuk mund të mbeten peng i një partie partie siq është Lista ‘Srpska’ me mos zgjedhjen e një nënkryetari të kuvendit.

Dhe në fund, unë mendoj se të gjitha partitë politike kur është në pyetje interesi i jonë i përgjithshëm si popull dhe shtet, duhet dhe e kanë për detyrë t’i dalin në mbrojtje parimeve politike bazë për të mundësuar funksionimin normal të institucioneve të Republikës së Kosovës” – përfundon ai