Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, së bashku me zyrtaren e lartë të AKA-së, Fjollë Ajeti, morën pjesë më 9 mars 2026 në takimin e Bordit të Komitetit të Pranimit të Këshillit për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimi u mbajt në Uashington, D.C., ku u shqyrtua aplikacioni i AKA-së në kuadër të procesit për njohjen e saj si autoritet akreditues.
Sipas njoftimit nga AKA, gjatë sesionit publik të takimit, anëtarët e Bordit të CHEA-së analizuan materialet e paraqitura nga AKA dhe drejtuan pyetje lidhur me aplikacionin, funksionimin e Agjencisë, standardet e sigurimit të cilësisë dhe zhvillimet në sistemin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.
Drejtori Gashi theksoi se Kosova ka ndërtuar një konsensus të gjerë kombëtar për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, ndërsa reformat e ndërmarra nga AKA kanë ndikuar në avancimin e pozitës së universiteteve dhe kolegjeve në ranglistat ndërkombëtare.
Sipas tij, shqyrtimi i aplikacionit të AKA-së nga CHEA përbën një moment të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e Agjencisë dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë. Ai shtoi se CHEA përfaqëson një mekanizëm me peshë në sistemin amerikan të njohjes së autoriteteve akredituese dhe se bashkëpunimi me këtë institucion do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e kredibilitetit ndërkombëtar të AKA-së.
Gashi nënvizoi gjithashtu se AKA tashmë është regjistruar si anëtare me të drejta të plota në EQAR, duke u bërë agjencia e vetme në Ballkanin Perëndimor me këtë status. Sipas tij, thellimi i bashkëpunimit me institucionet amerikane përbën një hap të rëndësishëm për konsolidimin e mëtejshëm të standardeve të sigurimit të cilësisë.
Në këtë kuadër, ai vlerësoi se njohja nga CHEA do të zgjeronte partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Sipas Gashit, një vendim pozitiv nga CHEA do të rriste njohjen dhe besueshmërinë e diplomave të institucioneve të arsimit të lartë të akredituara në Kosovë, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim akademik, mobilitet më të madh të studentëve dhe stafit akademik, si dhe për avancimin e proceseve të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë kosovar.
Ndërkohë, zyrtarja e lartë e AKA-së, Fjollë Ajeti, para Bordit të CHEA-së prezantoi në detaje procesin e brendshëm dhe të jashtëm të sigurimit të cilësisë, me fokus në mekanizmat e monitorimit dhe procedurat pasakredituese që kanë kontribuar në forcimin e standardeve të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë.
AKA e dorëzoi aplikacionin në CHEA më 1 dhjetor 2025, ndërsa më 23 shkurt 2026, një panel ekspertësh amerikanë zhvilloi një vizitë në Kosovë për të vlerësuar përmbushjen e kritereve amerikane në fushën e sigurimit të cilësisë. Pas përfundimit të procedurave, pritet që brenda tre muajsh Bordi i CHEA-së të marrë vendim për pranimin e AKA-së si institucion i njohur akreditues në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



Të tjera
“I lus disa ambasadorë…” – Deputeti i Vetëvendosjes ngre shqetësim për ndërhyrje në Gjykatën Kushtetuese
Kurti priti në takim Komandantin e KFOR-it, flasin për situatën e sigurisë
I nxehti dëmton celularët, si duhet mbrojtur?