Arda Turan zhvendoset në Ukrainë, trajneri i ri i Shakhtar Donetsk

Arda Turan zhvendoset në Ukrainë, trajneri i ri i Shakhtar Donetsk

Pas përfundimit të aventurës me trajnerin boshnjak, Marino Pusic, i cili pasoi sezonin e kaluar duke fituar titullin kampion dhe e mbylli këtë sezon në vendin e tretë, Shakhtar Donetsk ka vendosur të hapë një kapitull të ri. Klubi ukrainas ia ka besuar stolin një tjetër trajneri të huaj: Arda Turan, ish-mesfushori i njohur turk.

Turan nisi karrierën si trajner më 14 prill 2023, duke marrë drejtimin e Eyüpspor, klub nga Stambolli. Në fund të sezonit 2023/24, ai e udhëhoqi ekipin drejt fitores në kampionat dhe ngjitjes në elitën e futbollit turk, Super Lig. Në sezonin 2024/25, Turan e mbylli me Eyüpspor në vendin e gjashtë, duke treguar rritje të qëndrueshme. Në total, ai ka drejtuar 84 ndeshje si trajner i parë.

Në prezantimin e tij zyrtar, Turan u shpreh:

“Jam krenar që i bashkohem një klubi të madh, me traditë dhe histori të pasur. Shakhtar është një emër i njohur në gjithë Evropën dhe ka ambicien për të fituar çdo ndeshje. Shpresoj të kontribuoj në historinë e klubit dhe të dhurojmë shumë gëzim për tifozët tanë përmes lojës sonë. Jemi të motivuar thellësisht për të fituar trofe si në Ukrainë, ashtu edhe në Evropë.”

CEO i klubit, Serhii Palkin, komentoi:

“Arda Turan është një trajner premtues dhe ambicioz, me përvojë në një kampionat konkurrues si ai turk. Si lojtar, është një legjendë e futbollit evropian, dhe besoj se, së bashku me Shakhtarin, do të ndërtojë një karrierë po aq të suksesshme si trajner, duke sjellë trofe në Ukrainë dhe në arenën ndërkombëtare.”

Me emërimin e Turanit, Shakhtari shpreson të nisë një epokë të re fituese, nën drejtimin e një figure që ka lënë gjurmë si lojtar dhe që tashmë po kërkon lavdi edhe si trajner.s.n.