Ish-Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe shprese, përcjell Kosova Post.
Në urimin e tij, Mehaj theksoi se Ramazani është muaj reflektimi, sakrifice, faljeje dhe afrimi mes njerëzve, vlera që sipas tij populli shqiptar i ka ruajtur ndër shekuj.
“Të dashur qytetarë, vëllezër dhe motra. Me ardhjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, ju uroj nga zemra agjërim të lehtë, paqe në familjet tuaja dhe begati në çdo shtëpi. Ky muaj është kohë reflektimi, sakrifice, faljeje dhe afrimi mes njerëzve – vlera që populli ynë i ka ruajtur ndër shekuj”, thuhet në mesazhin e tij.
Mehaj ka theksuar gjithashtu traditën e bashkëjetesës dhe respektit ndërfetar në mesin e shqiptarëve, duke e cilësuar atë si pjesë të identitetit kombëtar.
“Ne jemi një popull që gjithmonë kemi respektuar të gjitha besimet dhe traditat fetare. Bashkëjetesa, mirëkuptimi dhe respekti për njëri-tjetrin janë pjesë e identitetit tonë kombëtar. Ramazani na kujton se forca e një shoqërie matet me solidaritetin, humanizmin dhe kujdesin për njëri-tjetrin”, theksoi ai.
Në fund të mesazhit, Mehaj u shpreh me lutje për më shumë paqe, drejtësi dhe mirësi, duke shtuar se shpresa dhe besimi nuk duhet të shuhen kurrë.
“Le të jetë ky Ramazan një kohë që na afron më shumë me Zotin, me familjen dhe me njëri-tjetrin. Urime Ramazanin! Agjërim të lehtë dhe Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja”, përfundon urimi i ish-ministrit Mehaj.



Të tjera
Logos-A nxori nga botimi librin “Ngritja dhe rënia e kombeve” të ekonomistit Mancur Olson
Merz: Gjermania do të kërkojë partneritete strategjike me Kinën mes tarifave amerikane
Gorani: Aktakuza për krerët e UÇK-së është ofenduese, dënimi i tyre do të ishte krim