Arrest shtëpiak ndaj 10 të dyshuarve në rastin e dallavereve me patentë shoferë, refuzohet paraburgimi

Masa e arrestit shtëpiak është caktuar për 10 të dyshuarit në rastin e dallaverve me patentë shoferë, ndërsa është refuzuar kërkesa për paraburgim. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga mbrojtësi i njërit prej të dyshuarve, avokati Driton Musliu, i cili mbron Leutrim Abdylin.

Masa e arrestit shtëpiak e marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë do të zgjasë 30 ditë dhe ndaj tij mund të ushtrohen ankesa brenda 48 orëve nga marrja e vendimit me shkrim. Ankesa do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar paraburgim për 10 të dyshuarit, mes tyre pronarë autoshkollash dhe ekzaminerë, të arrestuar në një operacion policor më 29 maj për keqpërdorime dhe ryshfete në procesin e marrjes së patentës së shoferit.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar më 30 maj se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit: Drilon Ahmeti, Ekrem Ahmeti, Emsh Ahmeti, Avni Abdyli, Sabri Arifaj, Sadri Sutaj, Kamer Shabanaj, Afrim Toçani, Naim Murseli dhe Leutrim Abdyli, të cilët u arrestuan në aksionin e Policisë më 29 maj nën dyshimin për dallavere me patentë shoferë.

Gjatë një operacioni policor në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, Policia të enjten arrestoi 11 të dyshuar për keqpërdorime me patentë shoferë. Prokuroria ka kërkuar paraburgim për 10 prej tyre.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar Dosjen e Prokurorisë, e cila është parashtruar të premten, derisa në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.

Me këtë, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 dhe 2 të Kodit Penal, lidhur me nenin 31.