Fituesja e çmimit Nobel për Paqen 2023, Narges Mohammadi, është arrestuar në Iran, ku deri tani ndodhej në liri të përkohshme për arsye mjekësore, njoftoi sot fondacioni “Narges Mummaddi” në platformën X.
“Sipas Fondacionit ‘Narges Mohammadi’, janë marrë informacione të besueshme se Narges Mohammadi është ndaluar me dhunë nga forcat e sigurisë dhe polici gjatë një ceremonie në kujtim të avokatit të ndjerë Khosrow Alikordi”, njoftoi fondacioni.
Avokatja e saj franceze, Chirine Ardakani, e ka konfirmuar gjithashtu këtë njoftim.
Fondacioni ka shtuar se edhe aktivistët Sepideh Gholian, Hasti Amiri, Pouran Nazemi, Alieh Motalebzadeh dhe shumë të tjerë janë arrestuar gjatë ceremonisë.
Mohammadi, një nga mbrojtëset më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në Iran, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se përballet me kërcënime serioze nga agjencitë iraniane të sigurisë.
Në gusht, ajo i tha revistës gjermane “Der Spiegel” se agjentët sekretë i kishin bërë kërcënime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për jetën.
Kryetari i Komitetit Norvegjez të Nobelit kishte thënë në atë kohë se Mohammadi kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik, duke cituar ato që ajo i kishte përshkruar si kërcënime për “eliminim fizik” nga agjentë shtetërorë.
Mohammadi ka akuzuar autoritetet iraniane se kanë shtuar presionin ndaj shoqërisë civile pas armëpushimit të qershorit me Izraelin, duke theksuar se represioni ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe kritikëve është intensifikuar.
Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se Irani mbetet një nga mjediset më kufizuese në botë për lirinë e shprehjes, me aktivistë që shpesh arrestohen, ndiqen penalisht dhe burgosen/ atsh



Të tjera
Situata e sigurisë, komandanti i KFOR-it takon kreun e FSK-së
Ferid Agani paralajmëron formimin e një partie të re
DiCaprio e quan Thunbergun “lidere e kohëve tona”