Asgjë e re nga Kuvendi, dështon edhe përpjekja e 19 – të e konstiuimit të legjislaturës së nëntë

‘‘Ta shohim’’, Gashi thotë se i mbetet Kurtit ‘‘me bë shumicën’’

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Arben Gashi, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili mbrëmë ftoi opozitën që ta sfidojë për formimin e qeverisë.

Gashi tha se është përgjegjësi e Kurtit të krijojë shumicën parlamentare, duke theksuar se roli i opozitës nuk është ta bëjë këtë.

“Ta shohim… Ka të drejtë ekskluzive dhe ta propozojë i pari qeverinë.

Tani i mbetet atij me e bë shumicën, nuk jemi ne me e bë shumicën”, tha Gashi.

Kica-Xhelili e quan Kurtin deputet: S’jemi të detyruar të votojmë një person në mendësi antikushtetuese

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka dhënë sërish qëndrimin e saj, ku tha se nuk janë të detyruar ta votojnë një person në mendësinë antikushtetuese që s’e gjejnë veten.

Ndërsa e quante Albin Kurtin deputet, nuk komentoi gjatë qëndrimin e tij se i ka votat për qeveri, pasi sipas saj, kanë ushtruar veçse kallëzim penal për të.

”Nuk vlerësoj që as kam nevojë më të komentoj, për faktin se kemi ushtruar kallëzim penal ndaj tij”.

”Jemi lodhë pak edhe me lojë të fjalëve. Kemi hy me njëfar cikli të pyetjeve edhe përgjigjeve të njëjta secilën herë”.

”Nuk mund të bëhet asnjëherë kryetari i kuvendit pa marrëveshje politike”.

”Në çdo variant ka nevojë të ketë një marrëveshje politike në mënyrë që të krijohet një shumicë”.

Çitaku: Nuk i komentojmë dëshirat e Kurtit, ta ndërrojnë kandidatin dhe të ecim tutje

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku pas dështimit për të 19-në herë të seancës konstituive i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të reflektojë dhe të zhbllokojë situatën në mënyrë që të konstituohen insitutcionet.

Çitaku para mediave tha se nuk i komentojnë dëshirat e deputetit Kurti, pasi sipas saj, PDK vlerëson realitetin politik në Kuvend.

“I bëjmë thirrje deputetit Kurti që të reflektojë, të zhbllokojë situatën në mënyrë që institucionet të konstituohen… PDK ka qenë jashtëzakonisht e përgjegjshme dhe konstruktive dhe po mundohemi të bëjmë çdo gjë në funksion të zhbllokimit…”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së u pyet nga gazetarët edhe për deklaratat e Kurtit të një dite më parë.

“Ne nuk i komentojmë dëshirat e deputetit Kurti… Ne e vlerësojmë realitetin politik në Kuvend, nuk e ka shumicën parlamentare, i bëjmë thirrje të reflektojë, të ndërrojë kandidatin dhe të ecim tutje”, tha ajo.

Peci: Jemi të hapur për koalicione, por jo për imponime nga opozita

Ministri në detyrë dhe njëherësh deputeti i Listës Guxo, Faton Peci, është deklaruar para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Ku po tentohet për herë të 19-të radhazi që të konstituohet Kuvendi.

Peci theksoi se subjekti i tij është i hapur për bashkëpunim me partitë e tjera, duke përfshirë koalicione dhe partneritete të mundshme.

“Ne kemi reflektu në forma të ndryshme dhe kemi tregu që jemi të hapur si për opsione, partneritet edhe për koalicione e në anën tjetër në rast se ju e quani reflektim idenë që opozita me zgjedh kandidatin e partisë fituese, atëherë kjo nuk është reflektim por tentativë për me ta imponu kandidatin”, ka thënë Peci.

Izmaku: Numrat nuk e përcaktojnë gjithmonë rëndësinë, por peshën që e ka një lider

Deputetja e betuar nga radhët e Nismës Social Demokratike, Xhevahire Izmaku, ka folur para mediave para tentimit të 19-të për konstituimin e Kuvendit.

Ajo para mediave deklaroi se në Kosovë nuk kanë qenë gjithmonë numrat që e kanë përcaktuar rëndësinë, por peshën që e ka një lider.

“Siç e pamë njoftimin, është një fazë kur ende nuk do të kemi votim politik por ende po votohet për procedura.

Nuk ka një ndryshim apo vendimmarrje të re, po presim që ndoshta nga diskutimet tona të brendshme të kemi diçka që do të përfshijë diçka më konkrete”, deklaroi ajo para mediave.

Bahtiri kritikon bllokadën në Kuvend, thotë se LVV është e gatshme për kompromis

Deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri ka folur për tentimin e 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Bahtiri u shpreh se situata aktuale është papërgjegjësi totale e deputetëve që i ka zgjedh populli.

“I takon deputetëve të marrim vendime në të mirë të qytetarëve pavarësisht se cilës parti i takojnë. Secila parti i din votat e veta dhe ne duhet të gjejmë një zgjedhje përfundimtare për të qeverisur këtë vend. Është gabim i madh që po bëhet mes partive politike”, tha Bahtiri.

Ai shtoi se derisa LVV voton për të zgjedhur organet ka përparësi në aspektin e dëshirës për t’i zgjedhur për dallim nga partitë tjera.

Bahtiri shtoi se janë të gatshëm çdoherë për kompromis.

“Ne jemi çdoherë të gatshëm të bëjmë kompromis, i kemi kërkuar LDK-së që të bëjmë një qeveri të përbashkët sepse i duhet këtij vendi. E kemi kandidaten që është gruaja më e votuar brenda LVV-së, e përgatitur e dëshmuar mjaftë kështu që nuk e di pse dikush mundohet me marrë të drejtën e dikujt”, tha Bahtiri.

——–

Për të tetëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të hënën ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare, që ka dalë nga zgjedhjet e mbajtura në muajin shkurt.

Dështimi i radhës erdhi pasi partitë opozitare refuzuan për të dhjetën herë me radhë që të propozonin anëtarë për një komision të përkohshëm, i cili do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Çështja e votimit të fshehtë është kthyer në mollë sherri mes pozitës dhe opozitës. Më 1 maj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kishte propozuar që zgjedhja e kryetares së Kuvendit të bëhej përmes një votimi të fshehtë, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, dështoi disa herë të siguronte shumicën prej 61 votash.

Ky propozim është kundërshtuar nga partitë opozitare, të cilat e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si jokushtetues këtë mënyrë të votimit. Në ankesën e tyre, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe kanë kërkuar që Gjykata të ndërmarrë një masë të përkohshme, për të ndaluar mbajtjen e seancave derisa të merret një vendim përfundimtar për kushtetutshmërinë e procedurës së propozuar.

Në vazhdimin e seancës konstituive të mbajtur më 19 maj, partitë opozitare refuzuan sërish të propozojnë përfaqësues në komisionin për votimin e fshehtë, duke thelluar ngërçin institucional.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Sot pritet të mbahet seanca e 19-të, ndërkohë që bllokada parlamentare po zgjatet dhe po rrit shqetësimin për funksionimin normal të institucioneve shtetërore.