Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i është drejtuar me kërkesë Ministrit në detyrë të Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, për shtyrjen e afatit ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026.
Sipas ligjit aktual, komunat duhet t’i miratojnë buxhetet në Kuvendet Komunale deri më 30 shtator 2025 dhe më pas t’i dërgojnë ato në Ministrinë e Financave. Por, duke qenë se nga 13 shtatori nis fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale, AKK vlerëson se ky proces është i vështirësuar.
Në kërkesën e bordit theksohet se shumica e anëtarëve të Kuvendeve Komunale do të jenë të angazhuar në fushatë, gjë që e bën të vështirë funksionimin normal të tyre. Për më tepër, AKK argumenton se buxhetet duhet të pasqyrojnë prioritetet e kryetarëve dhe kuvendeve të reja, duke siguruar përputhje me programet qeverisëse dhe një proces më transparent.
Për këtë arsye, Asociacioni i Komunave kërkon që miratimi i buxheteve për vitin 2026 të shtyhet pas konstituimit të kuvendeve të reja komunale.
.



Të tjera
Ky është personi që tentoi t’i vras avokatin shqiptar dhe dy serbët në Deçan
Incident në një kopsht në Pejë, edukatorja sulmohet me shufër metalike nga nxënësi
Stadiumi Nacional përfshihet në buxhetin 2026, ndahen 4 milionë euro