Kurti nga Prizreni: Ata para nesh e lodhën veturën ‘në të parën, ne jemi në të tretën’

Ata para nesh e lodhën veturën ‘në të parën, ne jemi në të tretën’

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti tha se me qeverisjen e tij kanë rritur ekonominë me nga një miliard euro për çdo vit, duke e krahasuar këtë ritëm me qeveritë e mëparshme, të cilat sipas tij “e kanë lodhur veturën duke e mbajtur vetëm në të parën”.

Në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje sonte në Prizren, Albin Kurti tha se për katër vjet qeverisjeje prioritet dhe sukses kanë pasur “nëna, fëmija, veriu, ushtria dhe bujqësia”. Ai ka shpalosur vendimet e para që do të merren në mbledhjen e parë të qeverisë, nëse ri-zgjidhet në mandatin e tretë.

“Qeverisja jonë për këta gati pesë vjet për çdo vit ia ka shtuar ekonomisë së Kosovës nga 1 miliard. Ekonominë e gjetëm shtatë miliardë në vitin 2021, sot që po flasim bruto produkti vendor është 11 miliardë, e vitin e ardhshëm bëhet 12 miliardë. Do të thotë që për çdo vit ekonomisë ia shtojmë nga një miliard. E të dashur qytetarë, ata para nesh u duhej tri vjet për një miliard t’ia shtojnë ekonomisë së Kosovës. Kjo do të thotë që kur jemi te rritja ekonomike, ne jemi trefish më të shpejtë se ata. Kjo do të thotë që kur jemi te rritja ekonomike edhe nëse kanë pasur drejtimin dhe kahun e duhur, ata e kanë lënë shtetin si veturë në të parën. E kanë lodhur veturën duke e mbajtur veç në të parën, e ne jemi trefish më të shpejtë se ata, ne jemi në të tretën”, u shpreh Kurti.

Kurti ka treguar vendimet e para që do të ndërmerr nëse rizgjidhet në postin e kryeministrit, raporton kp.

“Në vitin e ardhshëm, në mbledhjen e parë të qeverisë si kryeministër i juaji në mandatin e tretë do ta nënshkruaj vendimin për buxhetin 2026, katër miliardë apo dy të tretat më shumë sesa para pesë vjetësh. Do ta nënshkruaj edhe vendimin për Ligjin e ri për Çmimet Tavan, të cilin para më shumë se dy vjetësh Gjykata Kushtetuese na e rrëzoi, duhet ta rikthejmë tavanin për çmimet e produkteve bazë, të gjësendeve elementare ushqimore, ashtu që shporta e konsumatorëve prizrenas dhe në Kosovë anembanë të jetë e përballueshme. Vendimi i tretë do të jetë ai që mundëson që veteranët e UÇK-së, tash që procesi gjyqësor lidhur me listat e fryra të veteranëve po përmbyllet, të mos detyrohen të zgjedhin a duan punësim apo beneficion. Me ne do t’i kenë me fillimin e vitit të ardhshëm edhe benificionin, edhe punësimin”, tha ai.