Ky dimër pritet të jetë vendimtar për Atletico Madrid, që ka shumë punë përpara si në dalje ashtu edhe në afrime.
Nga ana tjetër, situata te Real Madrid është edhe më e tensionuar: Xabi Alonso u shkarkua pas humbjes në Superkupën e Spanjës ndaj Barcelonës, ndërsa pasuesi i tij, Alvaro Arbeloa, e nisi aventurën me një eliminim surprizë nga Albacete në Kupën e Mbretit.
Shitje të domosdoshme
Pas investimeve të rëndësishme gjatë verës, drejtuesit e Atleticos nuk kishin në plan të lëviznin shumë këtë janar, përveç rastit kur do të realizoheshin disa shitje.
Fillimisht u shfaq mundësia e largimit të Giacomo Raspadori drejt Romës, por negociatat u zvarritën.
Paralelisht, u hap edhe pista e largimit të Thiago Almada, i transferuar verën e kaluar për 21 milionë euro.
Benfica, Napoli, Gremio dhe së fundmi Palmeiras kanë shprehur interes për mesfushorin argjentinas.
Sipas disa burimeve, lojtari nuk është plotësisht i kënaqur dhe pritet të takohet me agjentët e tij për të analizuar situatën.
Megjithatë, qëndrimi i klubit madrilen ka ndryshuar.
Sipas Estadio Deportivo, Atletico nuk është më i detyruar të shesë, pasi ka realizuar disa operacione të rëndësishme financiare.
Siç analizon edhe gazetarja e FootMercato, Dahbia Hattabi, klubi ka përfituar mbi 60 milionë euro nga shitja e Conor Gallagher te Tottenham për 40 milionë dhe nga transferimi i Raspadorit te Atalanta për 22 milionë euro.
Kjo situatë i lejon Simeones të mos sakrifikojë Almadan, edhe pse e ardhmja e tij mbetet e hapur.
Përforcime në mesfushë
Atletico synon të afrojë një ose dy mesfushorë gjatë këtij muaji.
Ky është objektivi i drejtorit sportiv Mateu Alemany, me mbështetjen e plotë të Diego Simeones.
Aktualisht, në dispozicion janë Pablo Barrios, Koke dhe Johnny Cardoso, por “Cholo” kërkon më shumë energji dhe cilësi.
Sipas Estadio Deportivo dhe mediave angleze, objektiv kryesor është Joao Gomes i Wolverhampton.
Braziliani po spikat në një sezon zhgënjyes për klubin anglez, por çmimi prej 50 milionë eurosh e bën operacionin të vështirë.
Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2030 dhe për lojtarin interesohen edhe Napoli dhe Manchester United.
Alternativa të tjera në tryezë
Sipas AS, në listë janë edhe emra të tjerë:
Manu Kone (Roma), me vlerë rreth 50 milionë euro.Kees Smit (AZ Alkmaar), talent 20-vjeçar për të cilin kërkohen 60 milionë.
Ruben Neves, në fund të kontratës me Al-Hilal, që mund të kushtojë rreth 20 milionë euro.
Lamine Camara, finalist i Kupës së Afrikës me Senegalin.
Edhe sulmi në vëzhgim
Përveç mesfushës, Marca raporton se Atletico nuk përjashton afrimin e një lojtari ofensiv, por vetëm nëse ai përmirëson ndjeshëm repartin sulmues.
Aktualisht, Simeone ka në dispozicion Julian Alvarez, Alexander Sorloth dhe Antoine Griezmann, ky i fundit i kërkuar nga klubet meksikane.
Me rreth 62 milionë euro në arkë dhe disa pista të hapura, Atletico Madrid synon të bëjë disa korrigjime të domosdoshme në skuadër gjatë afatit kalimtar të janarit 2026, me ambicien për të mbetur konkurrues në të gjitha frontet.



Të tjera
Ndeshja e veçantë e Avdylit ndaj Dritës në Ligën e Konferencës
Si t’i kuroni ethet në buzë me përbërësit e shtëpisë?
Eksportet dhe importet kryesore të Kosovës në 2025 sipas Institutit GAP