Kurti: Austria i ka qëndruar pranë Kosovës në çdo fazë kritike të shtetësisë

Austria i ka qëndruar pranë Kosovës në çdo fazë kritike të shtetësisë

 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë.

Dje, Austria shënoi këtë moment historik për të 60-tën herë që kur u bë festë zyrtare kombëtare – gjashtë dekada kujtimi, reflektimi dhe krenarie në një rrugë të përcaktuar nga demokracia, përgjegjësia dhe liria.” u shpreh kryeministri në detyrë.

Kurti, tutje shtoi se rrugëtimi i Austrisë nga okupimi në pavarësi, nga ndarja në demokraci u kujton se sovraniteti nuk ka të bëjë vetëm me kufijtë, por edhe me vlerat.

“Për ne në Kosovë, kjo ditë bart rezonim të veçantë. Rrugëtimi i Austrisë – nga okupimi në pavarësi, nga ndarja në demokraci – pasqyron në shumë mënyra rrugën tonë drejt lirisë dhe vetëvendosjes. Na kujton se sovraniteti nuk ka të bëjë vetëm me kufijtë, por edhe me vlerat: drejtësinë, solidaritetin dhe dinjitetin njerëzor”, ka deklaruar kreu në detyrë i qeverisë.

Kurti ka thënë se Austria i ka qëndruar pranë Kosovës në çdo fazë kritike të shtetësisë.

“Ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë tonë; ka qenë një mbështetëse e palëkundur e rrugës sonë evropiane; dhe vazhdon të jetë një nga partnerët tanë më të rëndësishëm në zhvillim, arsim dhe investime. Për këtë, shpreh mirënjohjen tonë të thellë”, ka deklaruar në fjalën e tij Kurti në pritjen e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë.